Hetimet e SPAK për privatizimin e Bazës Detare të Sarandës janë përqëndruar tek një kontratë qiraje mes Ministrisë së Financave dhe bashkimit të kompanive Kastrati dhe Concord Investment. Por një muaj para kontratës së qirasë, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka nënshkruar me të njëjtat kompani një kontratë 35 vjeçare koncesioni për ngritjen e një porti jahtesh dhe shërbimesh në territorin ujor të bazës.
Kontrata e koncesionit është nënshkruar në 23 qershor të vitit 2020. Sipas hartave bashkangjitur kontratës, porti i jahteve praktikisht bllokon daljen e Flotës në det, pasi parashikon ndërtimin e bankinave në të gjithë zonën bregdetare para bazës, sic ilustrohet nga vijezimet e shenuara me blu ne foto.
Edhe pse Gjykata e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar vendosi nën sekuestro preventive territorin tokësor të Bazës Detare me argumentin se dhënia e saj me qira tek privatët ka cënuar operacionalitetin e Flotës, sërish Baza e Sarandës mbetet e paralizuar pasi kontrata e koncesionit për Portin e Jahteve qëndron në fuqi.
Nuk dihet nëse Ministria e Infrastrukturës ka kërkuar aprovimin e Ministrisë së Mbrojtjes për ngritjen e një porti turistik në zonën bregdetare të Bazës së Sarandës. Por koncesioni i portit ishte hapi i parë i një plani që parashikonte fshirjen totale të Bazës së Sarandës, pa e nxjerrë më parë nga Plani i Përhapjes.