Një ngjarje e rëndë u regjistrua mesditën e të hënës pranë shkollës “Fan Noli” në Tiranë, ku u vra me thikë 14-vjeçari Martin Cani dhe u plagos shoku i tij, Luis Meçe. Si autor i ngjarjes deri më tani rezulton Mario Përlleshaj, ndaj të cilit është caktuar masa “arrest me burg”, por ndodhet në spital, pasi u plagos edhe vetë nga përleshja.
Por, ditën e djeshme në një emision televiziv Fiqiri Meçe, babai i Luisit, hodhi akuza drejt Policisë për mosvënien para përgjegjësisë të të gjithë autorëve, pasi ai pretendon se kanë qenë dy autorë të krimit.
Të njëjtën gjë pretendoi ditën e sotme edhe djali i tij i plagosur, gjatë një interviste për emisionin “Review”.
Ndërkohë, sipas procesverbalit të OPGJ-së kanë qenë të pranishëm pesë persona 14-vjeç, teksa aty përmendet edhe emri që përmendi Fiqiri Meçe si autor të dytë të ngjarjes.
Marsel S., Luis Meç, Martin Cani, janë përleshur në afërsi të shkollës “Fan Noli” me Mario Përlleshaj dhe Klodion B., sipas konstatimit të oficerit të policisë gjyqësore.
Këta emra janë përmendur edhe nga babai i Luisit, i të plagosurit që ishte shok me Martinin.
14-vjeçari Luis Meçe gjatë intervistës tha se është goditur me dy thika të ndryshme dhe kërkoi që t’i bëhej eskpertiza mjeko-ligjore.
Duket se personat e tjerë të përfshirë në ngjarje deri më tani kanë qendruar në hije dhe ende nuk dihet roli i tyre në këtë ngjarje të rëndë.
Klodion B, djali i një zyrtari?!
Në lidhje me përfshirjen e Klodion B. në ngjarje foli eehe gazetari Eni Ferhati.
“Çështja është se nuk është përjashtuar asnjëherë përfshirja e një personi të dytë. Megjithëse policia u mundua të ishte korrekte, deri më tani është vetëm një autor i dyshuar. çështja është që në këtë puzzle mungon për shembull, aparati celular i autorit të vetëm të dyshuar, Mario Ll. Ky konflikt rezulton se ka qenë i shtrirë dhe i akumuluar për disa kohë. Nëse gjendet telefoni do ndihmojë në zbardhjen se si është organizuar, kush janë përfshirë e të tjerë”,-tha Gazetari.
Ai tha gjithashtu se po aludohet se po ndihmohet “autori i dytë”.
“Aludohet se po favorizohet personi i mitur i dytë, i cili është fëmija i dikujt me pozicione publike. Mua personalisht nuk më rezulton. Një version, kam marrë informacion që do largohen jashtë vendit, por kjo mbetet për tu parë”,-tha gazetari.
Policia e mohon
Policia reagoi dje duke e mohuar këtë fakt.
“Policia e Shtetit vëren se burime të caktuara janë angazhuar në një fushatë mediatike dizinformimi, lidhur me vrasjen e 14-vjeçarit nga një bashkëmoshatar i tij, në një distancë rreth 200 metra nga shkolla “Fan Noli” në Tiranë.
Policia e Shtetit disponon dëshmi të personave të përfshirë në konflikt dhe pamje filmike në afërsi të vendit të ngjarjes ku ka ndodhur tragjedia dhe në kushtet e ndalimit ligjor për publikimin e tyre, informon opinionin publik se nga hetimet e deritanishme nuk implikohet n autor i dytë i përfshirë në këtë ngjarje.
Për të ezauruar çdo pretendim dhe sqaruar çdo detaj në funksion të së vërtetës e të shërbimit deri në fund të drejtësisë, është marrë në pyetje nga grupi hetimor, nën drejtimin e prokurorit të çeshtjes dhe prindi i të miturit të dëmtuar L. M. në lidhje me pretendimet e tij të cilat do të vlerësohen në raport me të gjitha provat e faktet e tjera të administruara gjatë këtij hetimi.
Nga ana e Policisë Gjyqësore në drejtimin e prokurorisë po kryhen veprime intensive per zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe individualizimin e përgjegjësive penale të personave konkretë.
Sipas Policisë së Shteti çdo keqpërdorim i tragjedisë së humbjes së nj jete, nga ana e mediave, dëmton sekretin hetimor dhe dizinformon opinion publik”, reagoi policia. /gazetajone