Vrasja e Liridona Ademajt më 29 nëntor ka tronditur opinionin publik.
Dy ditë më vonë, u arrestuan tre të dyshuar për vrasjen e saj, përfshirë dorasin Granit Plavën, bashkëshortin e të ndjerës, Naim Murseli, i cili dyshohet të ketë urdhëruar vrasjen e Liridonës si dhe Kushtrim Kokallën, si të dyshuar për bashkëpunim.
Ishte raportuar se familjeve të të dyshuarve u janë dhënë dy ditë besë dhe se më pas do të përgjigjeshin me Kanun ndaj këtij rasti.
Indeksonline ka kontaktuar babanë e Naimit, Shaban Murselin, i cili tha se dje ishte vizituar nga pjesëtarë të familjes Ademaj, të cilët i kanë thënë se kanë përfunduar ditët e besës. Ai thotë se shtëpia e tij po ruhet nga Policia e Kosovës dhe se nuk ka se çfarë të bëjë lidhur me këtë situatë.
Ai thotë se gjendja shëndetësore e dy fëmijëve të Liridonës dhe Naimit është e mirë.
Por një gjë të tillë e ka mohuar vëllai i Liridonës, Leonardi. Ai thotë se po të donin të bënin një gjë të tillë, do e kishin bërë kohë më parë.
Ai thotë se fëmijët e Liridonës planifikojnë t’i marrin pranë vetes kurdo që t’i lejojnë autoritetet dhe Qendra Sociale. Dy djemtë e motrës thotë se nuk i kanë marrë menjëherë, për shkak të ngushëllimeve që janë mbajtur në shtëpi dhe gjendjes së rëndë të familjarëve të Liridonës./Indeksonline