Një tabelë e madhe reklame e vendosur në faqen lindore të kullës më të lartë në vend fton qytetarët e interesuar se në “DownTown Albania” kanë nisur shitjet për banesa.
Ndonëse godina ende nuk ka përfunduar dhe në një pjesë të saj skelat e jashtme janë ende të vëna, “Kastrati Group”, që është edhe investitori i kësaj kulle, kërkon të marrë sa më parë fitimin, duke i nxjerrë në shitje të gjitha njësitë që përbëjnë këtë ndërtim.
Sipas lejes së ndërtimit “DownTown Albania” është një godinë polifunksionale me 37 kate, nga të cilat një pjesë e destinuar për njësi banimi, një pjesë për njësi shërbim dhe një pjesë për hotel.
Leja më vonë është ndryshuar duke i legalizuar kësaj godine 5 kate të tjera, sipas një denoncimi të bërë nga deputeti Gazmend Bardhi.
Gjithashtu në leje përcaktohet se ndërtesa në fjalë duhet të ketë edhe 5 kate nëntokë të cilat kanë nisur të shërbejnë muajsh tashmë.
Në bazë të ligjit për sistemin e taksave vendore, për të gjithë ndërtesat e reja paguahen një sërë taksash dhe tarifash, përfshi taksën e ndikimit në infrastrukturë në nivelin e 8 për qindëve të vlerës së investimit, taksa e përkohëshme për infrastrukturën arsimore, takse pastrimit, gjelbërimit dhe ndriçimit.
Paguhet gjithashtu edhe një taksë prej 3 për qind për strehimin.
Por ky ligj përjashton nga pjesa dërrmuese e taksave ndërtimet që kanë për qëllim nxitjen dhe zhvillimin e njësive akomoduese e hoteliere.
Më konkretisht, ligji përjashton taksën prej 8 për qind për ndikimin në infrastrukturë për investimet e kryera për ndërtimin e strukturave akomoduese “Hotel/Resort me pesë yje, status special”, sipas përcaktimeve në legjislacionin e fushës së turizmit dhe që janë mbajtës të një marke tregtare të regjistruar dhe njohur ndërkombëtarisht “brand name”.
Pikërisht këtë hapësirë duket se po shfrytëzon edhe investitori i “DownTown Albania”, pasi ndonëse lejen e ka marrë që godina të jetë edhe hotel, njësitë e ndërtimit të relizuara po i shet për banesa dhe njësi shërbimi, siç janë dyqane, lokale etje.
Kjo për vetë faktin se leja nuk përcakton raportin mes pjesës që do jetë hotel dhe asaj që do të përdoret për banim dhe shërbime.
Nën kamuflimin e hotelit, nëse nuk hap një të tillë dhe i shet njësitë vetëm si apartamente apo zyra e ambiente biznesi, investitori do t’u shmanget detyrimeve tatimore, me gjaë edhe për pjesën e njësive që po shet për banim dhe shërbime, ndonëse vlera e shitjes së tyre është nga më të shtrenjtat në gjithë Shqipërinë.
Natyrisht që kjo është jo vetëm në shkelje të ligjit dhe shmangie e pageses se taksave, por në të njëjtën kohë përbënë pabarazi në raport me ndërtuesit e tjerë, të cilët janë të detyruar t’i paguajnë të gjitha taksat.
Qeveria është vënë disa herë nën akuzë nga një pjesë e opozitës se e ka favorizuar investitorin e “Downtown Albania” duke e lënë të ndërtojë pa leje e më pas duke ndryshuar ligjin me një VKM për t’ia legalizuar 5 katet pa leje.
Shtesa e kateve e ka ndryshuar edhe fasadën e pallatit ndryshe nga sa ishte konceptuar nga studio holandeze e arkitekturës MVRDV dhe harta e Shqipërisë është disa kate më poshtë sesa duhej të ishte sipas projektit. (Shih ndryshimin në foto).
Por edhe pse Gazmend Bardhi e denoncoi si aferë të madhe korruptive dhe shkelje të rëndë, pasi ligji nuk mund të ndryshohet me VKM, ai nuk e çoi çështjen ndonjëherë në prokurori.
Me legalizimin e bërë nga qeveria, “Downtown Albania” nuk u prek as nga aksioni i qeverisë për konfiskimin e kateve dhe ndërtimeve pa leje, i cili goditi disa nga ndërtuesit kryesorë në vend.
Tani, siç duket, “Downtown Albania” po shmang edhe taksat. Mbetet për t’u parë nëse strukturat qeveritare do të ndërhyjnë në këtë rast apo do të gjejnë ndonjë mënyrë për ta mbyllur çështjen.