Loran Dusha, administrator i kompanisë Integrated Technology Waste Treatment Fier i pyetur të premten në Komisionin Hetimor të Kuvendit, pretendoi se nuk mbante mend një pjesë të mirë të transaksioneve me vlerë miliona euro.
Dusha, i pyetur nga drejtuesja e Komisionit Jorida Tabaku tha se nuk kishte informacion dhe se i duhej verifikonte pretendimin që ngriti deputetja në lidhje me një transaksionin në vlerë 20 milion euro paradhënie të kryera nga kompania që ai drejton tek Integrated Technology Services që në fillim të kontratës koncesionare.
“Për çfarë punësh është paguar zoti Klodian Zoto me vlerën e 20 milion euro paradhënie nga buxheti i shtetit, kur nuk është kryer punë në inceneratorin e Fierit të paktën deri në vitin 2019?”, pyeti Tabaku. Dhe më pas tha se për të qenë e saktë shuma ishte 23 milion euro sipas Drejtorisë së Tatimeve.
Dusha nuk mohoi pagesën as shumën, por nuk dha përgjigje dhe tha se “Duhej të konfirmonte”.
Ai u përgjigj po njëlloj pyetjeve prej deputetëve të opozitës për shpenzimet e kompanisë, pagesat për kompani të treta të akuzuar sipas opozitës për fatura fiktive dhe të ngjashme.
Dusha tha se “në dijeni të tij nuk ishin bërë fatura fiktive”, por tha se nuk e dinte për çfarë punësh ishin paguar një listë kompanish që Tabaku lexoi gjatë marrjes në pyetje, duke pretenduar se nuk kishte qenë administrator në atë periudhë. “Ndoshta janë pagesa të prapambetura”, tha ai kur Tabaku këmbënguli se transfertat kishin ndodhur në kohën që ai drejtonte kompaninë.
Veç Dushës Komisioni Hetimor arriti të pyeste edhe Viola Haxhiademin, sekretare e përgjithshme e Ministrisë së Infrastrukturës, që u përgjigj kryesisht mbi mënyrën se si ishte ushtruar kontrolli mbi kompanitë koncesionare. Florjan Muçaj, ish-administrator i përgjithshëm i bashkisë Fier dhe anëtar i komisionit të prokurimit të inceneratorit të të njëjtit qytet refuzoi të përgjigje duke pretenduar se për këtë çështje ishte thirrur në SPAK.
Ndërkohë dy dëshmitare të tjera Ariola Kodra dhe Valbona Ballgjini, drejtuese e komisionit të prokurimit në Tiranë nuk u paraqitën në seancë. Kodra që duhej të ishte e para nuk u gjet as pas përpjekjeve të punonjësve të Kuvendit gjatë ditës. Kryetarja e Komisionit Jorida Tabaku, që tha se Kodra kishte dhënë dëshmi të rreme në Komision gjatë dëshmisë së parë, tha se punonjësit e Kuvendit nuk ishin lejuar brenda koncensionarit kur shkuan të dorëzonin fletë-thirrjen. Tabaku kërcënoi se Kodra do të merrej forcërisht nëse nuk paraqitej në komision pas 48 orësh.
Harresa mbi milionat
Gjatë seancës deputetët e shumicës u përpoqën herë pas here të pengonin dhe i kontestuan pyetjet e kolegëve të opozitës për Loran Dushën dhe e justifikuan atë me problemin shëndetësor.
Pyetjeve të Tabakut mbi trasfertat drejt një sërë kompanish nënkontraktore, që sipas opozitës kishin lëshuar fatura fiktive apo shpenzimet e koncesionarit për bileta udhëtimi e të ngjashme, u kontestuan nga depyetët e PS se ishin jashtë objektit dhe se bëhej fjalë për marrëdhënie brenda kompanive.
Por opozita këmbënguli se bëhej fjalë për mënyrën se si ishin shpenzuar paratë publike. Dusha tha se udhëtimet ishin për në Itali dhe pretendoi se ato ishin për qëllime të punës.
Deputetët e opozitës pyetën Dushën mbi marrëdhëniet me Klodian Zoton, pronar i shumicës së aksioneve në kompaninë që ai drejton, Mirel Mërtin, që ai tha se njihte si Drejtor i Kompanisë Integrated Technology Services dhe Stela Gugalljan, pronare e inceneratorit të Elbasanit. “Klodian Zoto është aksioneri i shoqërisë ku unë punoj, kryesori. Ndërsa z.Mirel Mërtiri ka qenë drejtor kompanisë “Integrated Technology Services”, tha Dusha.
Dusha tha se nuk e mbante mend herën e fundit që kishte folur me Mërtirin, ndërsa i tha Komisionit se me Klodian Zoton, i shpallur në kërkim nga SPAK prej dhjetorit, kishte komunikuar para festave të nëntorit. Ai pranoi njohjen edhe me persona të tjerë të përfshirë në kompanitë që morën kontratat koncesionare të inceneratorëve, por mohoi të kishte punuar në kompaninë “Hermes Comunication”, pavarësisht pretendimit të Tabakut se ai figuronte si përfaqësues i kësaj kompanie bazuar në dokumente nga Qendrës Kombëtare të Biznesit.
I pyetur nga deputeti Lefter Gështenja mbi sasinë e parave që koncesionari kishte marrë Dusha këmbënguli se qeveria duhej ende tu paguante edhe 5 milion euro. Por deputeti Gështenja tha se bazuar në dokumentet nga Thesari i Shtetit ata ishin shlyer plotësisht. Dusha kundërshtoi disa herë me radhë.
Megjithatë i pyetur në mënyrë të përsëritur për shpenzimet e kompanisë dhe kompanive nënkontraktore Dusha shpesh tha se nuk e mbante mend. “Janë kompani nënkontraktore që mund të kenë kryer punime dhe janë pagesa të prapambetura. Nuk e di për çfarë po flisni. Në dijeninë time nuk di që ka fatura fiktive”, tha Dusha.
Ai po ashtu refuzoi të thoshte se cili ishte kontakti i tyre në Ministrinë e Infrastrukturës. “Nuk e mbaj mend”, tha ai. Tabaku këmbënguli se si ai nuk mbante mend personin që i transferonte miliona euro, por Dusha i qëndroi asaj që kishte thënë.
Pas disa përgjigjeve të ngjashme Tabaku ironizoi duke i thënë se “shpresonte që të kujtohej para SPAK” duke aluduar për hetimet e prokurorisë për kontratat.
Dusha iu përgjigj edhe pyetjeve të shumicës se kur do të fillonte punë inceneratori për të cilin ai nuk dha datë por pretendoi se do të niste “shumë shpejt”. I pyetur se pse një premtim i tillë nuk ishte mbajtur më parë Dusha tha se kishte pasur probleme, por pa i specifikuar.
Debati mbi kontrollin
Dëshmitarja tjetër e thirrur nga Komisioni Viola Haxhiademi, sekretare e përgjithshme e Ministrisë së Infrastrukturës, u pyet nga deputetët kryesisht mbi mënyrën se si ishin kontrolluar punimet e kryera nga kompanitë dhe si ishin bërë pagesat për ta.
Haxhiademi këmbëguli në dëshmi se pagesat ishin kryer vetëm bazuar në situacionet që ishin paraqitur nga superfizori i punimeve. Por deputetët e opozitës pretenduan se supervizori ishte zgjedhur prej kompanive koncesionare dhe ishte i njëjti në të tre rastet. Ata po ashtu pretenduan edhe se auditi i kompanive kryhej prej një kompanie në zotërim të Stela Gugalljas.
Megjithatë Haxhiademi mbajti të njëjtën linjë përgjigjeje duke shkarkuar përgjegjësit nga ministria të supervizori. Ajo përsëriti disa herë se ishte supervizori që mbante përgjegjësi nëse situacionet nuk ishin reale.
Në pyetje përgjigjet me deputetin Helidon Bushati, Haxhiademi këmbënguli se incenerarori i Elbasanit kishte prodhuar energji. Haxhiademi po ashtu i premtoi Komisionit dokumente në lidhje e procedurën për pasisjen me leje për prodhim energjie të këtyre kompanive.
Kontratat koncesionare për inceneratorët e Elbasanit, Fierit dhe Tiranës, sipas Kontrollit të Lartë të Shtetit kapin një vlerë prej gati 500 milionë euro për një periudhë 30 vjeçare. Prokuroria e Posaçme po heton dyshime të arsyeshme se pas këtyre kontratave ngrihet një skemë korruptive që shkon në nivelet më të larta të shtetit.
Në 14 dhjetor, ish-ministri i Mjedisit, Lefter Koka u arrestuar, i akuzuar për korrupsion. Ai dyshohet se është paguar mbi 3.6 milionë euro ryshfet nga kompanie fituese e koncesionit të inceneratorit të Elbasanit dhe një nënkontraktor i saj. Ndërkohë drejtuesit e dy kompanive, Stela Gugallja dhe Klodian Zoto janë shpallur në kërkim. /BIRN