484024313_970831871910505_8899854744633500160_n

Ajola Xoxa është paraqitur këtë të mërkurë në GJKKO. Bashkëshortja e kryebashkiakut Erion Veliaj ka ankimuar sekuestrimin e llogarive bankare nga ana e SPAK në kuadër të hetimeve ndaj saj dhe bashkëshortit të saj.

Ajola Xoxa akuzohet nga SPAK për korrupsion (9 raste), pastrim parash, fshehje pasurie. Në seancën e zhvilluar në 12 shkurt GJKKO ndryshoi masën e sigurisë për Xoxën nga arrest shtëpie në detyrim paraqitjeje dhe ndalim për largim jashtë vendit.

Kujtojmë së sot në orën 12:30 ka seancë në Apel edhe kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj. Ishte një proces maratonë ai i masës ndaj kryebashkiakut dje, i cili mbas shtatë orë e 30 minuta u mbyll pa vendimmarrje. Gjatë seancës me dyer të mbyllura të kryesuar nga Engert Pëllumbi avokatët e kryebashkiakut kërkuan lirimin e klientit të tyre nën arrest në burg prej 10 shkurtit.

Por prokurorët e posaçëm të dosjes kanë paraqitur prova të reja, çka e detyroi gjyqtarin e posaçëm të shtyjë vendimmarrjen për të mërkurën për t’i lënë kohë mbrojtjes të njihen me to. /gazetajone