Aktori i njohur Romir Zalla, ka folur si rrallë herë për jetën e tij personale dhe atë profesionale.
I ftuar në ‘S’e Luan Topi’ Romiri rrëfeu jetën e tij mes skenës së spektaklit të humorit, por edhe një histori të trishtë në jetën e tij private.
Ai u shpreh se humori i buron nga shpirti, sipas tij njeriu duhet ta jetojë jetën si të jetë dita e fundit.
“Humori më buron, nuk përpiqem. Ka raste që e ‘teproj’ me këtë harenë e madhe që më karakterizon. Jeta është e shkurtër dhe njeriu duhet ta jetojë ditën si të ishte fundit dhe të shohë optimizëm edhe atje ku është errësirë totale”– u shpreh Romiri.
Këtë vit, aktori ka humbur dhe babanë e tij ku mes lotësh ai tregoi si e ka përjetuar.
“Unë nuk e kam kapërcyer akoma atë moment, Jam në momentin, periudhën që edhe e besoj edhe nuk e besoj. Jam tek ai momenti që ka çdo djalë për prindin. Nuk e kisha menduar as në ëndrrat e mia më të këqija momentin kur të ikën një prind, ky moment vjen dhe të gjen të papërgatiur. Unë vazhdoj të mos e pranoj. Unë rikthej momente nga jeta jonë qysh fëmi deri tani që flasim, dhe është pjesa kur njeriu ka një lloj brenge sepse nuk mund dot t’i plotësojë diçka ose t’i gjendet pranë në momente të caktuara”-rrëfeu Zalla.
Më pas aktori shqiptar ka dhënë dhe një këshillë shumë të vyer për njerëzit:
“Jeta është bërë shumë e vështirë. Unë e kam pas thënë shpesh kur im at ishte gjallë, sa herë ke kohë, bëji një telefonate prindërve. Mos them shko takoi… (përlotet)”.