Ajo është nga divat që na bën më së shumti krenare në botë, por pak dimë për përjetimet e saj në jetën personale e familjare. Së fundmi, ajo ka treguar vështirësitë e jetës si një diva në raport me të birin.

“Në gjithë karrierën time, e vetmja gjë që më ka mbetur e parealizuar është se çdo herë kam qenë duke vrapuar. Se pas çdo shfaqje, në vend që të pushoja, kam qenë duke vrapuar për të kapur ose avionin, ose trenin, ose makinën për të takuar djalin.

Dhe asnjëherë s’kam qenë e përmbushur. Vija me lot, e lija me lot. Nuk u ngopa asnjëherë me djalin. Dhe kur isha shumë e mërzitur, shkova në shkollë duke qarë dhe i thashë:

Sot jam këtu dhe shikoj këto mamatë e tjera që janë përditë, që presin, po ti do të doje të kishe një mami që e kishe këtu, apo këtë mami që ke?

Dhe ai më tha në frëngjisht: “Të preferoj si diva që je”, – tregon ajo.