Dy prokurorët e dosjes së inceneratorëve kanë shkelur tre herë ligjin me fshehjen e të dhënave që mund të inkriminonin ish-ministrin Arben Ahmetaj në çështjen e inceneratorëve.
Në kallëzimin penal të paraqitur në SPAK nga ana e gazetarit Adriatik Doçi, listohen të gjitha shkeljet që së bashku me shkeljet e ligjit nga ish-ministri Ahmetaj, bëhen gjithsej shumë vite burgim që rrezikojnë të tre.
Vepra e parë penale që ata kanë kryer është ajo e shpërdorimit të detyrës në bashkëpunim, parashikuar në nenet 25 dje 248 të kodit penal. Në të thuhet:
“Kryerja ose moskryerja me dashje e veprimeve a e mosveprimeve në kundërshtim me ligjin, që përbën mospërmbushje të rregullt të detyrës nga personi që ushtron funksione publike, kur i kanë sjellë atij ose personave të tjerë përfitime materiale ose jomateriale të padrejta a kanë dëmtuar interesat e ligjshme të shtetit, të shtetasve dhe personave të tjerë juridikë, nëse nuk përbën vepër tjetër penale, dënohet me burgim deri në shtatë vjet”.
Vepra e dytë penale që të akuzuarit kanë konsumuar është ajo e veprimeve që pengojnë zbulimin e të vërtetës e parashikuar si vepër penale në nenin 301 të kodit penal
“Kryerjen e veprimeve për të ndryshuar vendin e kryerjes së veprës penale duke prishur, ndryshuar apo fshirë gjurmët e saj ose duke lëvizur, fshehur, asgjësuar, vjedhur, falsifikuar një send apo një dokument me qëllim për të vështirësuar dhe penguar zbulimin e veprës penale dhe të autorit të saj, dënohet me gjobë ose burgim gjer në tre vjet”.
Shkelja e tretë e ligjit është ajo nenit 313 fraksion 3 i kodit penal, ku përcakton se zhdukja ose humbja me çdo mënyrë e fashikullit të hetimit ose të gjykimit, si dhe heqja prej tyre e dokumenteve, shkresave ose të dhënave të tjera që ndodhen të bashkuara me to, kur ka sjellë pasoja të rënda në dëm te interesave të shtetasve ose të shtetit, dënohet me gjobë ose me burgim deri me pesë vite.
Shkelja e katërt është në nenin 313 fraksion B pika 3 i kodit penal që përcakton se dhënia ose publikimi me çfarëdo lloj forme në kundërshtim me ligjin e te dhënave me karakter konfidencial pika 5 kur kjo vepër kryhet nga njëri prej personave që kanë përgjegjësinë për të ruajtur karakterin e klasifikuar dhe konfidencial të të dhënave, dënohet me gjobë ose burgim deri në tre vjet dhe kur nga kryerja e kësaj vepre kanë ardhur pasoja të rënda për shëndetin e tyre me burgim nga dy deri ne pese vjet.
Dy prokurorët Klodian Braho dhe Ened Nakuçi kanë patur në dorë fakte që tregojnë se i kërkuari nga SPAK Klodian Zoto kishte bërë pagesa hotelesh për udhëtimet e ish ministrit Arben Ahmetaj.
Këto fakte ata nuk i kanë marrë parasysh duke marrë të pandehur në çështjen e inceneratorëve ish-ministrin e Mjedisit Lefter Koka dhe drejtuesit e kompanisë së inceneratorëve, por jo ish-ministrin Ahmetaj.