Në “Durrës Yachts Marina” është njoftuar hapja e shitjeve nëpërmjet prenotimeve, pa filluar puna për projektin për një tjetër godinë me 181 apartamente.
Pas përfundimit të prenotimeve për shitjen e 233 apartamenteve në rezidencën “Parkview” që u mbajt më 8 mars, tashmë parashikohet që në datën 18 prill të zhvillohen prenotimet për shitjen e pronave të një ndërtese 7-katëshe në rezidencën “Parkland”.
Për pronat që do të dalin në shitje më 18 prill, nga zyra e shitjes u pohua se për apartamentet me sipërfaqe neto nga 61 m² deri në 141 m², totali i vlerës së shitjes varion nga 110 mijë euro deri në 400 mijë euro. Çmimet për metër katror nisin nga 1,800 deri në 2,800 euro.
Vendndodhja e objektit të ri në planimetrinë që shoqëron shitjen tregon se ndërtesa është në vijën e tretë të ndërtimit me largësi nga deti dhe me pamje ballore nga parku qendror i marinës.
Krahasuar me ankandin për prenotimin e shitjeve zhvilluar rreth një muaj më parë (u mbajt më 8 mars) çmimet maksimale të shitjes së pronave janë rritur rreth 8%. Për tipologjinë e apartamentit me sipërfaqe neto 58 m² në rezidencën “ParkView”, vlera e shitjes niste nga 110 mijë euro deri në 150 mijë euro.
Për ndërtesat e para, çmimet minimale të shitjes nisnin nga 1,650 euro për metër katror. Çmimet janë rritur rreth 9%.
Shitjet fillojnë pa lejen e ndërtimit, vetëm vendasit “guxojnë” të blejnë në ajër
Edhe për këtë objekt në “Durrës Yachts Marina”, prenotimet për shitje do të zhvillohen pa u marrë leja e ndërtimit. Për këtë objekt, sipas zyrës së shitjes, leja e ndërtimit parashikohet të dalë pas 6 apo 7 muajsh.
Shitja vijon me skemën e pagesës së prenotimit prej 1,200 euro dhe shlyerjen e totalit të vlerës së blerjes së apartamentit nëpërmjet 7 kësteve. Tarifa e paguar për prenotim nuk kthehet, por blerësit i llogaritet në këstin e fundit të pagesës.
Tre prej këtyre kësteve apo 40% e vlerës së apartamentit do të paguhet para marrjes së lejes së ndërtimit e ndarë në 20% e çmimit të blerjes që paguhet brenda 5 ditëve nga nënshkrimi i Marrëveshjes Paraprake të Shitjes; 10% e çmimit të blerjes të paguhet jo më vonë se 3 muaj nga data e lejes së ndërtimit dhe 10% e çmimit të blerjes të paguhet jo më vonë se 6 muaj nga data e lejes së ndërtimit.
Nga zyra e shitjes u pohua gjithashtu se kërkesa për prenotimin e pronave kryesohet nga vendasit, ndërsa një pakicë e tyre është nga shqiptarët e diasporës apo emigrantët. Ndërsa numri i blerësve të huaj është pothuajse jo ekzistent.
Modeli i ri i prenotimit pa filluar ende nga puna projekti po zbatohet edhe nga investitorë të tjerë që pritet të zhvillojnë resorte në Jug.
Ermira Brozi, drejtoresha e shitjeve dhe marketingut të grupit “Concord Investment” më herët pohoi për “Monitor” se kjo qasje e re, pra modeli i prenotimit fillestar të çmimit, ende pa filluar nga puna në kantier projekti, është mirëpritur nga ana e blerësve tanë potencialë, të cilët kanë procesuar edhe firmosjen e kontratës së prenotimit, veçanërisht kjo nga shtetasit shqiptarë të diasporës, por ama edhe ata të Kosovës.
Në Durrës YachtS Marina parashikohet ndërtimi i gati 13 mijë apartamenteve (4 mijë në fazën e parë dhe rreth 8,600 në fazën e dytë), ndërsa do të këtë vetëm pak hotele me më shumë se 850 dhoma.
Parashikohen vetëm 280 vende për jahte. 93% e sipërfaqes së ndërtimit të parashikuar do të jetë rezidenciale dhe nga 3.5% përkatësisht do të jenë hotele dhe sipërfaqe tregtare.