Prokuroria e Posaçme duket se gjatë vitit që po vjen do të fokusohet te pasuritë e bosëve të krimit dhe të politikës.Të premten, “Pamfleti” publikoi detaje nga një udhëzim të firmosur nga Altin Dumani, sa i takon hetimit financiar të subjekteve të SPAK.

Sot po zbardhim të tjera detaje nga ky udhëzim, duke u ndalur te mënyra se si SPAK do të shkojë te pasuritë kriminale apo korruptive.

Udhëzimi është një lloj manuali për të gjithë prokurorët, duke u treguar atyre mënyrën për gjetjen e pasurive të fshehura dhe për të zbuluar jetën e luksit që bëjnë njerëz të politikës dhe të krimit.

Në dokument, thuhet se SPAK do të ndjekë 3 mënyrë për të zbuluar pasuritë e pista:

a) Informacioni nga burime të hapura;

b) Informacioni nga bazat e të dhënave shtetërore dhe private;

c) Informacioni nga agjencitë e ndryshme ligjzbatuese.

Sipas udhëzimit, për të mbledhur informacion nga burimet e hapura, prokurori dhe hetuesi përdor kryesisht motorët e kërkimit në internet: “Informacionet e hapura përfshijnë llogaritë e krijuara në faqet e rrjeteve sociale, postimet në blogje, komente në forume online, profile në platforma profesionale si “LinkedIn”, galeritë e fotografive në internet, video të postuara në “YouTube” ose në platforma të tjera të ndarjes së videos, dhe historitë e publikuara në media online ose portale lajmesh.

Këto burime përdoren veçanërisht për të përcaktuar rrethin e interesave dhe miqve të individit që është subjekt i analizës, stilin e jetesës, vendet e argëtimit dhe rekreacionit, pasuritë e luajtshme ose të paluajtshme dhe automjetet që përdoren në të vërtetë, etj…”

Nëse prokurori vlerëson se informacioni i pasqyruar në internet paraqet interes të lartë për hetimin e çështjes, dhe duke marrë në konsideratë nevojën për të paraqitur prova në gjykatë, për të konfirmuar të dhënat rreth përdoruesit të llogarisë, ai mund të kërkojë nga kompanitë përkatëse informacion rreth llogarisë elektronike, vijohet më tej.

Po ashtu bëhet me dije se prokurori mund të kërkojë dhe mbledhë edhe informacion rreth komunikimeve me anë të postës elektronike (e-mail) të individëve ose organizatave nën hetim, të tilla si llogaria e përdorur nga personi dhe adresat IP nga të cilat janë dërguar ose marrë e-mail-et, korrespondenca e personit, personat me të cilët korrespondon personi nën hetim etj…

Një tjetër detaj interesant në udhëzim është se secili prokuror, duhet të ndërtojë një profil financiar për subjektin që heton.

Së pari bëhet një listë me pasuri që zotëron ligjërisht subjekti nën heitm, të tilla si:

pasuritë e luajtshme të regjistruara si automjete, avione, jahte etj.;

pasuri të luajtshme të identifikuara si bizhuteritë, veprat e artit ose objekte koleksioni, etj;

tituj dhe instrumente ligjorë që vërtetojnë tituj ose interesa të tjerë në pasuri;

likuiditete si llogari bankare, aksione, kapital aksionar dhe obligacionet, paratë jashtë banke;

huatë dhe kreditë;

mënyra, vendi i ruajtjes së vlerave monetare etj. dhe deklarimi apo jo në organet përkatëse (si në tatime, ILDKPKI);

Më pas shihen të ardhurat si dhe mënyra e fitimit të tyre, të tilla si:

përfitime nga sigurimet e jetës, të pronës apo shëndetësore, përfitimet nga skemat private të pensioneve;

shumat e fituara në kazino apo baste sportive;

burime potenciale të ardhurash në të ardhmen nga të drejtat e kontestuara apo pretendimet për përmbushje detyrimesh nga të tretë;

të ardhurat nga aktivitetet e pavarura; të ardhura nga bujqësia ose pemëtaria;

dividenti, të ardhurat nga veprimtaria tregtare e individëve ose bashkëpunëtorëve informale;

të ardhurat nga aktivitetet e konsulencës;

të drejtat e marra nga organizime familjare;

të drejtat e pronësisë intelektuale;

të ardhurat që rrjedhin nga prona (qiraja, interesi etj.).

Në fund shihen shpenzimet si edhe mënyra e kryerjes së tyre si:

pagesat e qirasë; normat e leasing-ut;

pagesat në dorë ose me kartë krediti;

pagesat e huasë dhe kredisë;

udhëtimet duke pasur parasysh qëllimin e tyre, kohëzgjatjen dhe vendin e akomodimit; shpenzimet e kryera për pushimet; tarifat e shkollimit;

pagesat e taksave; primet e sigurimit;

detyrimi për ushqim (alimoni);

paratë e shpenzuara në kazino ose në festa, etj.

Nëse pas grumbullimit të të dhënave, ka dyshime se bëhet fjalë për pasuri të paligjshme, prokurorët shkojnë më tej duke rritur bashkëpunimin me agjenci brenda dhe jashtë vendit.

Në udhëzim jepet dhe një listë me agjencitë e huaja që do të asistojnë në këtë aspekt.

Detaje nga udhëzimi

Neni 12- Metodat e gjurmimit

1. Për mbledhjen e informacionit të nevojshëm për të kryer hetime financiare ose pasurore, prokurori dhe hetuesi iu referohet këtyre burimeve kryesore:

a) Informacioni nga burime të hapura;

b) Informacioni nga bazat e të dhënave shtetërore dhe private. Një listë e bazave të të dhënave shtetërore gjendet bashkëlidhur në Shtojcën e këtij Udhëzimi;

c) Informacioni nga agjencitë e ndryshme ligjzbatuese.

2. Për të mbledhur informacion nga burimet e hapura, prokurori dhe hetuesi përdor kryesisht motorët e kërkimit në internet.

Informacionet e hapura përfshijnë llogaritë e krijuara në faqet e rrjeteve sociale, postimet në blogje, komente në forume online, profile në platforma profesionale si “LinkedIn”, galeritë e fotografive në internet, video të postuara në “YouTube” ose në platformatë tjera të ndarjes së videos, dhe historitë e publikuara në media online ose portale lajmesh.

Këto burime përdoren veçanërisht për të përcaktuar rrethin e interesave dhe miqve të individit që është subjekt i analizës, stilin e jetesës, vendet e argëtimit dhe rekreacionit, pasuritë e luajtshme ose të paluajtshme dhe automjetet që përdoren në të vërtetë, etj…

3. Nëse prokurori vlerëson se informacioni i pasqyruar në internet paraqet interes të lartë për hetimin e çështjes, dhe duke marrë në konsideratë nevojën për të paraqitur prova në gjykatë, për të konfirmuar të dhënat rreth përdoruesit të llogarisë, ai mund të kërkojë nga kompanitë përkatëse informacion rreth llogarisë elektronike.

4. Prokurori mund të kërkojë dhe mbledhë edhe informacion rreth komunikimeve me anë të postës elektronike (e-mail) të individëve ose organizatave nën hetim, të tilla si llogaria e përdorur nga personi dhe adresat IP nga të cilat janë dërguar ose marrë e-mail-et, korrespondenca e personit, personat me të cilët korrespondon personi nën hetim etj…

Neni 14- Bashkëpunimi me Organizata Ndërkombëtare

1. Në kuadër të hetimit financiar dhe gjurmimit të produkteve të veprës penale, prokurori mund të kërkojë bashkëpunimin me organizata ndërkombëtare.

Ndër këto organizata dhe rrjete ndërkombëtare mund të përmenden:

a) Eurojust, ndihmon në koordinimin e hetimeve dhe ndjekjes penale ndërmjet autoriteteve të ndryshme gjyqësore brenda shteteve anëtare të Bashkimit Evropian në luftën kundër formave të rënda të krimit të organizuar ndërkufitar;

b) Europol, ofron mbështetje analitike dhe informacione për hetimet që përfshijnë krime të ndërlikuara dhe të organizuara ndërkufitare, duke vepruar si një qendër për shkëmbimin e informacionit ndërmjet forcave të policisë në Evropë;

c) Rrjeti CARIN (Camden Asset Recovery Inter-Agency Netëork), është një rrjet ndërqeveritar i dedikuar për gjurmimin e pasurive të fituara në mënyrë të paligjshme, i cili lehtëson shkëmbimin e praktikave më të mira dhe të informacionit midis vendeve anëtare;

ç) Interpol, ofron një platformë për shkëmbimin e informacionit të ndjekjeve penale dhe bashkëpunimin policor ndërkombëtar për të luftuar krimin e ndërlikuar ndërkufitar;

d) AMON (Rrjeti Operativ Kundër Pastrimit të Parave (AMON), është një rrjet informal i krijuar për të lidhur dhe lehtësuar ndërveprimin dhe shkëmbimin e ekspertizës midis praktikuesve që punojnë në fushën e luftimit të pastrimit të parave;

dh) BAMIN (Rrjeti Ndërinstitucional i Menaxhimit të Aseteve Ballkanike), është një rrjet joformal praktikuesish, që punojnë në mënyrë operative brenda Zyrave ose Agjencive të Menaxhimit të Aseteve, ose brenda institucionit ose departamentit të mandatuar për t’u marrë me menaxhimin dhe asgjësimin e aseteve kriminale në juridiksionin e tyre;e) SELEC (South East European Laë Enforcement Center), promovon bashkëpunimin rajonal në luftën kundër krimeve ndërkufitare në Evropën Juglindore, duke përfshirë pastrimin e parave dhe financimin e terrorizmit;

Neni 15- Kryerja e hetimit

1. Pas mbledhjes së informacionit nga burimet e hapura dhe nga bazat e të dhënave të institucioneve zyrtare, prokurori në respektim të kërkesave të K.Pr.P. për përdorimin e mjeteve të kërkimit të provës, kryen një ose disa nga veprimet hetimore të mëposhtme, në varësi të faktit nëse hetimit kryhet në kuadër të procedimit penal apo ligjit nr. 10192/2009:

a) teknikat e posaçme të hetimit, të tilla si veprimet simuluese, infiltrimi në përbërje të grupit kriminal, dorëzimi i kontrolluar, përgjimi i komunikimeve, vëzhgimet;

b) sigurimin me anë të letërporosisë i provave që gjenden jashtë vendit;

c) sigurimin e provave kompjuterike, në respektim të dispozitave të procedurave penale;

ç) kontrollin e transaksioneve financiare nëpërmjet ekspertizës kontabël, etj…;

d) kontrollin, i cili përfshin kontrollin fizik të vendeve, objekteve, ose personave për të gjetur dhe siguruar prova mbi profilin financiar të individit, të tilla si:

1. dokumente mbi pasuritë e paluajtshme, automjetet ose pasuritë e tjera (dokumentet

2. e pronësisë, faturat, kontratat tregtare dhe të sigurimit, kontratat e huasë dhe hipotekës, faturat e pagesës së interesit mbi llogaritë depozitë, faturat e pagesës së taksave, etj);

3. çelësat e ndërtesave ose automjeteve;

4. dokumentet mbi llogaritë bankare dhe kutitë e depozitave të sigurta;

5. dokumente të kompanive tregtare;

6. pajisjet elektronike, duke përfshirë telefonat celularë, smartphone-t, tabletat, kompjuterët;

7. pajisjet e ruajtjes së informacionit (karta memorie, hard disk etj.).

dh) Marrja në pyetje e dëshmitarëve gjatë hetimit financiar për të marrë dëshmi, deklarata dhe informacione nga individë që mund të kenë njohuri rreth aktivitetit kriminal ose pasurive të fshehura.

Dëshmitarët e marrë në pyetje mund të ndahen në tre kategori, si më poshtë: Dëshmitarë të interesuar për rezultatet e hetimit, janë ata të cilët identifikohet nga

1. personi i dyshuar, ose nën akuzë si burimi i fondeve ose pasurive;

2. Dëshmitarë të përfshirë në mënyrë të dyshuar në krim janë ata individë, të cilët bazuar në disa burime, lidhen me veprën penale, por provat e mbledhura nuk janë të mjaftueshme për t’i kualifikuar këta individë si të dyshuar ose të akuzuar, ndërsa rrethanat objektive e bëjnë të domosdoshme pyetjen e tyre; /Pamfleti