Prokuroria e Posaçme dhe veçanërish Altin Dumani janë kthyer në makth për politikën. Në seancën e djeshme parlamentare u duk qartë se si majtas ashtu dhe djathtas ka pafund politikanë që flenë me frikën se ditën tjetër mund të zgjohen në qeli.

Altin Dumani raportoi dje në Kuvend mbi 4 orë për punën e SPAK dhe u dëshmua qartë se ai kishte shkuar në “folenë e grerëzave”, duke u prishur rehatinë. Demokratët ishin “armatosur” rëndë për këtë seancë, pasi për 4 orë ju bë gjyqi kreut të SPAK.

Thuajse i gjithë grupi parlamentar demokrat ishte në sintoni, pasi të gjithë bënë breshëri pyetjesh duke dashur të vënë me “shpatulla pas murit” Dumanin. Madje pati dhe nga ata si Flamur Noka, Tritan Shehu apo Bujar Leskaj që nuk e fshehën qëllimin e gjithë këtij presioni: Sali Berisha. Të gjithë i kërkonin llogari Dumanit se përse e mbanin të izoluar liderin e tyre politik dhe shpirtëror. Albana Vokshi tentoi ta intimidonte përmes pyetjes për koncesionet në shëndetësi, ndërsa Noka dhe Paloka për inceneratorët.

Nga ana tjetër kemi socialistët, të cilët dukej sikur i “lëpiheshin” Dumanit. Pandi Mjako dhe disa të tjerë u ndjenë të revoltuar me pyetjet e PD dhe morën në mbrojtje kreun e SPAK. Por Dumani u tregua shumë i qartë në qendrimin e tij, teksa nuk munguan dhe mesazhet drithëruese për të gjithë.

Sa i takon mbështetjes së socialistëve ai e tha prerë: “Unë nuk kam nevojë për mbrojtjen e askujt. Mbrojtja ime e vetme është ligji, Kushtetuta dhe karakteri im. Nuk kam nevojë për mbrojtjen e askujt. A ka një vijë të kuqe? Ka vetëm një vijë që janë koha dhe ligji”.

Sa u takon akuzave dhe deklaratave të Flamur Nokës, Dumani tha: “Presionet, shpifjet dhe thashethemet nuk ndikojnë në punën tonë të përditshme. Hetimi objektiv do t’i japë përgjigje të gjitha pyetjeve të ngritura”.

Po ashtu ai ja bëri të qartë Tritan Shehut, i cili i kërkonte llogari për Berishën, se ai nuk merret me politikë dhe askush nuk e detyron ta shkelë ligjin. Po ashtu ja bëri të qartë dhe Bardhit se nuk merr SMS nga Kryeministri dhe nuk intimidohet nga askush.

Pra kemi dy situata. Kemi një tufë deputetësh që duket qartë se u ka hyrë miza nën kësulë dhe shfrytëzuan rastin për të bombarduar kreun e SPAK. Kemi socialistët që duna ta marrin me të mira kryeprokurorin, ndonëse gjysma e kabineti është me dojes.

Kemi dhe Dumanin, i cili duket se e bëri të qartë se as Berisha, as Rama, as Olsi, as Flamuri e askush tjetër nuk e intimidojnë dot. Të shohim sa forcë do të ketë, por një gjë u duk qartë sot: Politika është e tmerruar nga SPAK.