Përpara trupës së KLP-së, kreu i SPAK, Altin Dumani ka bërë bilancin e institucionit që ai drejton përgjatë 2023.

Dumani ka vënë theksin se SPAK është një institucion i besueshëm në sytë e aleatëve, e ndërsa tha se në 2023 është arritur një rritje cilësore

“Për 2023 SPAK ka njohur një rritje cilësore, këto të cituara edhe në Progres Raporti i publikuar në nëntor 2023. SPAK ka arritur të krijojë besueshmeri tek autoritetet partnere. Përfaqësues të DEA dhe FBI janë atashuar pranë SPAK. Kemi krijuar kontakt direkt me autoritete të vendeve të Amerikës Latine”, tha Dumani.

Dumani tha gjithashtu se SPAK ka regjistruar një numër të lartë të procedimeve të reja penale.

“201 procedime për korrupsionin, 13 procedime për terrorizmin. Ka përmirësim të dukshëm të hetimeve të ndërmarra nga SPAK. Në vitin 2023, janë regjistruar 67 procedime kryesisht, 28 për korrupsionin. Në 109 procedime për korrupsonin dhe 77 për krimin e organizuar, janë përdorur interceptimet. Vetëm gjatë vitit 2023 janë ngritur 10 skuadra të reja hetimore. Në 2023, janë regjistruar 299 procedime te reja. Ka rritje me masën 8-10 përqind për çështjet e dërguara në gjykatë. 20 perqind rritje për veprat penale të korrupsionit. Për masat e sigurimit, SPAK ka mbajtur të njëjtën qasjen përgjatë 3 viteve te fundit”, raportoi Dumani.