IMG_0365

Mediat amerikane raportojnë se Colleen Hyland do të jetë Zëvendës Ndihmës Sekretarja e Shtetit për Ballkanin Perëndimor, duke zëvendësuar në këtë detyrë, Alexandru Sasha Kasanof.

Hyland është një diplomate me përvojë në karrierë, e cila ka punuar në misionet diplomatike të SHBA-së në Bagdad, Kabul dhe Prishtinë.

Ndër të tjera, ajo flet shqip dhe ka shumë përvojë në luftën kundër korrupsionit.

Në një aktivitet të mbajtur në muajin shtator në Tiranë, Drejtoresha për Çështjet e Europës Jugore-Qendrore në Departamentin amerikan të Shtetit, Colleen Hyland pohoi se korrupsioni është një problem i madh në Ballkanin Perëndimor.

Ajo theksoi se “Shqipëria dëshiron të tërheqë investime të huaja dhe për të arritur këtë, duhet të ndryshojë sjellje dhe qëndrimin, duhet ta trajtojë këtë problem”. Zonja Hyland i bëri këto komente në konferencën e tretë rajonale “Balkanomics” kushtuar rritjes ekonomike.

“Shqipëria ka bërë një përparim të shkëlqyer falë edhe SPAK-ut, që është një organizatë, e cila ka bërë një punë të jashtëzakonshme. Sondazhet tregojnë se SPAK-u ka fituar respektin e qytetarëve të vendit, sepse ajo ndihmon vendin që të trajtojë çështjet e korrupsionit”, tha zonja Hyland.

SPAK-u, sipas saj, duhet ruajtur dhe forcuar në mënyrë që të dërgohet një sinjal shumë i fortë tek investuesit e huaj dhe tek shqiptarët që të investojnë në vendin e tyre, ndërsa SHBA-të janë të gatshme ta ndihmojnë më tej Shqipërinë në rrugën e integrimit europian.

“Në këtë punë të vështirë, korrupsioni duhet të mbahet nën kontroll. Ligjet duhet të përditësohen dhe të sillen në përputhje me standardet e BE-së, dhe për këto duhet fokus dhe vendosmëri”, tha zonja Hyland./gazetajonë