Pas shembjes së pishinave pa leje të Irfan Hysenbelliut, pronarit të News24, një furtunë e madhe u ngrit me argumentin se po goditej media e lirë dhe opozitare. Në resortin e Hysenbelliut u paraqit thuajse i gjithë grupi parlamentar i Partisë Demokratike dhe ai u mbrojt me zjarr nga Ilir Meta dhe Sali Berisha.
Por, duket se “opozitarizmi” i Hysenbelliut iku bashkë me stinën e verës.
Analisti Andi Bushati ka publikuar një foto nga momenti kur News24, ndërpret edicionin e lajmeve për të transmetuar pamjet e gatshme, të prodhuara nga departamenti i propagandës në Bashkinë e Tiranës, ku shfaqet Erion Veliaj duke vizituar një konvikt.
“Televizioni opozitar News 24 nderpret transmetimin dhe jep live nje lajm te madh: Veliaj viziton konviktet”, shkruan me ironi Bushati.
Në fakt, pas prishjes së pishinave dhe ulërimave të opozitës se po prekej media e lirë, kjo media duket se u “lirua” akoma edhe më shumë!