Anija e mallrave Kathrin, për të cilën organizata ndërkombëtare joqeveritare Amnesty International (AI) beson se, ndër të tjera, po transporton eksploziv në Izrael, duhet të mbërrijë në portin e Koprit në Slloveni. Këtë e ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë Zyra e kryeministrit të Sllovenisë, Robert Golob, por pa dhënë informacion për datën e saktë.
Ky informacion, ndonëse i pasaktësuar, është ndër të dhënat e rralla zyrtare për anijen MV Kathrin, e cila që prej datës 21 korrik lundron nga Vietnami drejt Portit të Koprit në Adriatik, i cili, siç tha zyra e Golobit, do të shërbejë si pikë transiti drejt vendeve të Bashkimit Evropian (BE), për ngarkesën që transporton anija.
“Porti i Koprit është pika hyrëse në BE. Kjo do të thotë se ngarkesa vazhdon rrugën drejt destinacioneve në BE,”- thuhet nga Zyra e kryeministrit të Sllovenisë. Nga korriku deri më 3 tetor, lundrimi i anijes Kathrin, e cila tash e tri ditë po qëndron në një vend në detin Adriatik, pranë brigjeve të Kroacisë dhe Malit të Zi, shkaktoi reagime të zyrtarëve të Namibisë, Portugalisë, organizatave dhe aktivistëve ndërkombëtarë, për shkak të ngarkesës që po transporton dhe destinacionit të mundshëm përfundimtar – Izrael.
Amnesty International dhe Kombet e Bashkuara u bënë thirrje vendeve të mos lejojnë hyrjen e anijes në portet e tyre “duke pasur parasysh rrezikun e qartë se një ngarkesë e tillë do të kontribuonte për kryerjen e krimeve të mundshme të luftës në Gazë”. Këto agjenci nuk shpjeguan pse ngarkesa nuk u dërgua drejtpërdrejt në Izrael ose pse u zgjodhën portet në Adriatik për shkarkim. Në itinerarin e anijes Kathrin, e cila lundronte nën flamurin portugez, ishin Namibia, Portugalia, Malta, ndërkaq në ueb faqen MarinTraffic për monitorimin e trafikut detar – destinacion ishte edhe Porti i Tivarit në Malin e Zi.
Më 1 tetor, Porti i Tivarit i tha REL-it se nuk ka marrë njoftim për hyrjen e anijes. Të premten, më 4 tetor, anija qëndronte në Adriatik rreth 75 milje detare ose rreth 140 km nga Porti i Tivarit dhe se dy ditët e fundit lëvizte në një rreth prej disa kilometrash, pa të dhëna të qarta se në çfarë drejtimi do të shkonte. Informacionet e para për anijen Kathrin u shfaqën në media në muajin gusht, kur Qeveria e Namibisë ndaloi ankorimin e anijes në portin Walvis Bay (Gjiri Walvis).
Më 27 gusht, media shtetërore New Era publikoi një artikull se si Namibia “bllokoi një anije që transportonte armë të destinuara për Izraelin” të ankorohej në një port të këtij vendi.
Ministrja e Drejtësisë, Yvonne Dausab, u kërkoi autoriteteve të mos lejojnë Kathrin të hyjë në ujërat e Namibisë.
Sipas ministres Dausab, “vendimi është në përputhje me qëndrimin e Namibisë për konfliktin e vazhdueshëm izraelito-palestinez, duke reflektuar mbështetjen e vendit për popullin palestinez dhe thirrjen e tij për t’i dhënë fund dhunës”.
Duke cituar një hetim policor, ministrja tha se anija “me të vërtetë transportonte materiale shpërthyese të destinuara për Izraelin, dhe për këtë arsye i është ndaluar hyrja në ujërat e Namibisë”, transmetoi BBC. Anija Kathrin, e ndërtuar në vitin 2010 në kantierin e anijeve Dongfang në Yueqing, Kinë, është një anije mallrash që mund të transportojë ngarkesë deri në 7.138 ton.
Sipas informacioneve nga policia namibiane, aktualisht është i ngarkuar me 60 kontejnerë trinitrotoluen (TNT) dhe tetë kontejnerë me eksploziv heksogen, një prej të cilëve është i destinuar për Izraelin. REL-i nuk arriti të konfirmojë në mënyrë të pavarur informacionin se kujt i drejtohet ngarkesa e anijes Kathrin dhe as si planifikohet shpërndarja e saj e mëtejshme.
Trinitrotolueni dhe heksogeni janë eksplozivët më të përdorur ushtarakë.
Duke u bazuar në këto informacione, Kombet e Bashkuara kërkuan embargo të armëve. Në fund të gushtit, raportuesja speciale e Kombeve të Bashkuara për territoret palestineze, Francesca Albanese, u bëri thirrje vendeve që të refuzojnë hyrjen e anijes në portet e tyre, duke pretenduar se këta eksplozivë janë “përbërës kyç në bombat ajrore dhe raketat që Izraeli përdor kundër Gazës së rrethuar”. Anija Kathrin lundroi nën flamurin e Portugalisë dhe është e regjistruar në Madeira, ndërkaq ajo është në pronësi të kompanisë gjermane Lubeca Marine Germany Gmbh & Co Kg. Në një bisedë të shkurtër telefonike, kjo kompani i tha REL-it se nuk do që të komentojë asgjë lidhur me anijen Kathrin. Pasi autoritetet e Portugalisë, sipas agjencisë së lajmeve Lusa, nisën një hetim për rastin e transportimit të lëndëve plasëse, anija Kathrin kërkoi heqjen e flamurit të vendit, që është një vendim i pakthyeshëm, raportojnë mediat shtetërore portugeze, duke cituar një burim zyrtar qeveritar.
“Të premten, më 27 shtator, pronari i anijes kërkoi zyrtarisht dhe në mënyrë të pakthyeshme anulimin e regjistrimit në Madeira, duke kërkuar kështu heqjen e flamurit portugez,”- tha po ai burim.
Media shtetërore, RTP, raportoi se nisma e kompanisë që zotëron anijen erdhi pas një “kërkese për sqarim” nga Qeveria portugeze. Në tekst thuhet se anija po transporton lëndë shpërthyese të destinuara për prodhuesit e armëve në Izrael, Poloni dhe Sllovaki. Mediat portugeze raportuan se një anije pa flamur nuk mund të hyjë në asnjë port, çka mund të sqarojë faktin se pse Kathrin prej ditësh qëndron në vend, me lëvizje minimale në detin Adriatik. Më herët ishte paralajmëruar se në Portin e Tivarit do të hyjë të enjten, më 3 tetor, nga ku do të vazhdojë për në Kopër të Sllovenisë, i vetmi port slloven ndërkombëtar i mallrave, i cili ka rëndësi kyç për lidhjen e Evropës Qendrore dhe Lindore me Mesdheun. Nga Administrata për Çështje Detare e Sllovenisë i thanë Radios Evropa e Lirë se nuk kanë pasur njoftim zyrtar para ardhjes së anijes Kathrin.
“Kemi informacione jozyrtare të marra nga agjenti në anije, për planin e mbërritjes në Portin e Koprit”, thanë nga ky institucion, pa saktësuar detaje të tjera.
Të dhënat jozyrtare për heqjen e flamurit portugez nga Kathrin, Administrata për Çështje Detare i ndau me organizatën Amnesty International në Slloveni, duke thënë se ende nuk ka përfunduar kalimi nga regjistri portugez i anijeve në regjistrin e një vendi tjetër. Është thënë se anija do të mund të lundrojë në Portin e Tivarit vetëm pasi të ketë një flamur të ri, ku synon të shkarkojë një pjesë të ngarkesës, thuhet në informacionin që Amnesty International në Lubjanë ndau me REL-in.
“Pas lundrimit nga Porti i Tivarit, ai ka destinacion Portin e Koprit, ku do të shkarkojë pjesën tjetër të ngarkesës që destinacion ka Poloninë, Çekinë dhe Sllovakinë”, thuhet në emailin që Administrata për Çështje Detare i ka dërguar Amnesty International.
Ndërkohë, disa media kanë shkruar se në vend se drejt Tivarit, anija do të lundrojë drejt portit kroat të Ploçës. Nga ky port i thanë Radios Evropa e Lirë se aktualisht nuk kanë konfirmim nëse anija do të ankorohet në Ploçe.
“Si operatorë të portit, është obligimi ynë që të ofrojmë shërbimet e portit në përputhje me ligjet dhe rregulloret në fuqi të Republikës së Kroacisë, gjë që ne e bëjmë në përputhje me të gjitha standardet ligjore dhe të sigurisë, si dhe me procedurat”, thanë nga ky port.
Nga Porti i Koprit nuk deshën të komentojnë, duke thënë se vendimet për hyrjen e anijeve merren nga Administrata për Çështjet Detare.
Më 1 tetor, Amnesty International u bëri thirrje Malit të Zi dhe Sllovenisë që të parandalojnë ankorimin e anijes në portet e tyre.
“Ngarkesa vdekjeprurëse që besohet të jetë në bordin e MV Kathrin nuk duhet të arrijë në Izrael, sepse ekziston një rrezik i qartë që një ngarkesë e tillë do të kontribuojë në kryerjen e krimeve të luftës kundër civilëve palestinezë”, u tha nga organizata.
Taja Premk, nga AI-ja sllovene, i tha REL-it se “e drejta ndërkombëtare humanitare i ndalon të gjitha shtetet t’i transferojnë armë te palët në konflikt të armatosur, kur ekziston një rrezik i qartë se kjo do të kontribuonte në kryerjen e krimeve të luftës ose shkeljeve të tjera serioze të së drejtës ndërkombëtare humanitare”. Premk konfirmoi gjithashtu se ka shumë të panjohura për anijen Kathrin dhe destinacionet përfundimtare të ngarkesës, të cilën po transporton dhe se është shumë e vështirë të arrihet deri tek informacionet zyrtare.
Në nivel global, Traktati i Tregtisë së Armëve përcakton standarde të përbashkëta ndërkombëtare për rregullimin e tregtisë së armëve konvencionale, municionit, si dhe pjesëve dhe komponentëve. As ky traktat dhe as ligji ndërkombëtar nuk ndalojnë transferimet e armëve, si të tilla në një konflikt të armatosur në zhvillim e sipër. Megjithatë, ato ndalojnë transferime të tilla në rrethana të caktuara, ndërkaq disa shtete përmbahen nga transferimet për palët në konfliktet e armatosura në zhvillim e sipër, si çështje e ligjit ose politikës kombëtare, thuhet në faqen zyrtare të Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq (KNKK).
“Shteteve nënshkruese të Traktatit u ndalohet të autorizojnë eksportin, importin, transitin, transportimin dhe ndërmjetësimin e armëve, municioneve, si dhe pjesëve dhe komponentëve nëse e dinë se këto armë ose objekte do të përdoren për të kryer krime lufte ose krime të tjera ndërkombëtare”, thuhet në faqen e KNKK-së. Përveç kësaj, Konventa e Gjenevës ndalon shtetet nënshkruese të transferojnë armë tek një palë në një konflikt të armatosur – pavarësisht nëse është një grupim i armatosur shtetëror apo joshtetëror – kur ekziston rreziku i qartë se kjo do të kontribuonte në shkeljen e së drejtës ndërkombëtare humanitare./VOA