Dy pistoletat e sekuestruara, njëra me lejë dhe tjetra pa lejë, janë gjetur në një vilë luksoze në Lundër të Tiranës, ku jetonte me qera Ilir Beqaraj alias Brahimi.
Prej disa kohë Beqaraj qëndronte së bashku me familjen e tij në Tiranë, duke u vendosur me banim në një kompleks banimi luksoz, ku qëndrojnë disa nga eksponentët e krimit të organizuar në Shqipëri.
Vendosja e tij në këtë kompleks ka bërë që ai të punësojë Edison Haxhiun, me qëllim për të kryer disa punë të familjes, përfshirë dhe transportimin e fëmijëve të Beqaraj në shkollë, raporton gazetari “Ora News”, Elton Qyno.
Prej 24 orëve Policia kriminale e Tiranës është në verifikime për zbulimin e një biznesi në fushën e Call-Centerave, që besohet se është ngritur nga Beqaraj pa lejen e organeve kompetente dhe se ka dyshime të forta se merret me mashtrimin e qytetarëve të huaj.
Deri në këto momente ekzistojnë dyshime për Beqaraj, si i përfshirë në ngjarjen kriminale të vrasjes së Gentian Bejtjas, pasi ende nuk janë siguruar prova konkrete.
Ndërsa për sa i përket punonjësit të tij, Edison Haxhiu, policia dhe prokuroria e Tiranës pretendojnë se ai me makinën e tij tip “Golf 7”, ka arritur të transportojë autorët e krimit në drejtim të fshatit Bubq të Fushë-Krujës.
I njëjti automjet ka rezultuar se është përdorur dhe nga Ilir Beqaraj, ndaj policia ka dyshuar se ai mund të jetë pjesëmarrës në këtë vrasje.
Nisur nga këto dyshime, policia ka ushtruar kontroll në vilën e tij luksoze që ndodhet në një qendër rezidenciale, duke gjetur një pistoletë pa lejë dhe një me lejë.
Nisur nga kjo situatë është bërë arrestimi i menjëhershëm i Ilir Beqaraj për akuzën e “Mbajtjes pa lejë të armëve dhe municioneve”.
Ndërsa pas kërkimeve të kryera për lokalizimin dhe shoqërimin e vëllezërve Durim dhe Valter Bami, është provuar se Valter Bami, ka dalë nga Shqipëria pak ditë pas daljes nga burgu, duke u vendosur në Dubai, aty ku qëndron prej disa muaj vëllai i tij, Durim Bami.