Dhunimi barbar, gati-gati në gjymtim fizik i Klea Prendit ka dy autore: motrat, Antonela dhe Mariela Berisha! Të dyja janë të shpallura në kërkim nga Policia e Shtetit, por deri më tani duket se kanë zgjedhur që të mos bashkëpunojnë me autoritetet dhe të përgjigjen për ‘dëmin’ që i shkaktuan 24-vjeçares. Por fatkeqësisht ky nuk është rasti i vetëm që në botën rozë dhe me xixa e drita të estradës, edhe vajzat përplasen fizikisht me njëra-tjetrën…aryseja është gjithmonë e njëjta: një burrë!
Sjellim një përmbledhje të ngjarjeve që kanë bërë bujë ndër vite në Shqipëri duke nisur nga përplasja e bujshme mes Rezarta Shkurtës dhe Rozana Radit, deri tek gjymtimi i Prendit me xham në një lokal të Tiranës.
Rezarta-Rozana, mike dhe rivale
Krisja mes Rozana Radit dhe Rezarta Shkurtës(që më herët janë njohur si dy mikesha të mira në rrethin e artistëve), nisi në shoun “Vip Shpija” (format i njëjtë me BigBrother VIP) në Kosovë. Në dukje ishte një zënkë banale dhe vetë ato të dyja u përpoqën ta kalojnë me sportivitet, duke uruar njëra-tjetrën për suksesin e radhës në festivalin “Kënga Magjike”. Por nuk u la me kaq. Në takimin e radhës, debati degradoi në dhunë fizike. ddy këngëtaret janë takuar afër zonës së Liqenit të Thatë më 6 dhjetor 2010. Rozana ka qenë në makinë, kur është qëlluar me grushte nga Rezarta Shkurta. Sipas mjeko-ligjorëve, tek e dëmtuara Rozana Radi janë konstatuar dëmtime rreth syrit të majtë, të cilat klasifikohen si plagosje e lehtë.
“Rozana ka qenë në makinë, dhe në këtë moment Rezarta e ka qëlluar me grushte Rozanën, e cila kishte pak kohë që kishte bërë një ndërhyrje kirurgjikale në gjoks dhe po mbronte me duart e saj pjesën e bustit të trupit, në një kohë që kishte lënë të zbuluar pjesën e fytyrës, ku dhe ka marrë goditje me grushte nga Rezarta Shkurta,”-shkruhej në pretencën e paraqitur në gjykatë. “Molla e sherrit” në këtë rast u raportua se ishte marrëdhënia që Rozana më parë ka pasur me Ermal Hoxhën, tashmë bashkëshorti i Rezartës, por të dyja vajzat në Gjykatë pretenduan se sherri nisi nga bashkëjetesa në “VIP Shpija”.
Për ngjarjen, Shkurta u dënua me 82 orë punë në komunitet.
Sherri “i dekadës”- Adelina Ismajli dhe Leonora Jakupi
Kjo ngjarje ka qenë ndoshta nga historitë e para të sherreve. Edhe pse kanë kaluar shumë vite, sërish nuk është zbardhur kurrë e plotë se çfarë ka ndodhur mes vajzave më të njohura të Kosovës. Historia e rrahjes ka ndodhur 10 vjet më parë në backstage-t e një koncerti, ku bëheshin parapërgatitjet për regjistrimet e një spektakli për Vitin e Ri. Në 2019, e ftuar në emisionin “Pressing”, Ismaili tha se gjithçka doli jashtë kontrollit kur pa Leonorën të godistë mamanë e saj.
“Po, ka patur përleshje, por pse ka ndodhur kjo nuk e di. Mamin e ka goditur pak Leonora së parë. Mbaj mend se ishte një garderobë e ngushtë, ajo kaloi dhe goditi mamin. Mami i bërtiti pak për shkak të stresit të xhirimeve. Kur mami i tha “kujdes”, ajo e kapi prej fyti dhe aty ndërhyra unë,”– përfundoi këngëtarja duke shtuar se nuk do të thotë asnjë fjalë më shumë për ngjarjen e ndodhur në 2003-in.
Ndërsa pyetjes nëse janë pajtuar, i është përgjigjur: Nuk e shoh të arsyeshme. Jo pas asaj që më ka bërë pas rrahjes. Aq bukur e ka shfrytëzuar për karrierën e vet dhe për krijimin e lidhjeve me mediume të ndryshme. Për mua ka qenë ndryshe, se unë jam rugoviste, jam ende. Unë ende nuk e kam të qartë nëse jemi apo jo rivale, por sinqerisht e them se nuk kam xhelozi për askënd, e aq më pak për një vajzë të re, e për më tepër për një këngëtare që ka kënduar në Koshare.
Pas deklaratave të Adelinës, nuk ka munguar reagimi i këngëtares tjetër të njohur Leonora Jakupi, e cila është shprehur se kërkon ballafaqim publik.
“Asgjë nga ato që ka thënë nuk është e vërtetë. Nuk mund të dalë në një studio ashtu kot dhe të thotë gjëra të paqena. Pse doli të flasë për këtë çështje pas 10 vitesh?! E ftoj në një debat publik, sepse, në ndryshim nga ajo, unë i kam gjërat e faktuara,”- ka thënë Leonora Jakupi për “Prive”.
Edhe sot e kësaj dite, nuk dihet pse ka nisur ky sherr, por një gjë është e sigurtë: pas krahavë nuk është hedhur!
Big Mama dhe Rovena Stefa
Mund të ndodhë që nga mike shumë të ngushta dy femra të kthehen në armike të betuara. Ky është rasti i Big Mama-s dhe Rovena Stefës. Nga persona të afërt me dy këngëtaret, nga mediat e kohës pretendohej se e gjitha ka nisur kur Big Mama i rrëfeu Rovenës ndjenjat për një mikun e saj, të cilin e njihte prej vitesh. Por brenda pak kohësh ishte Rovena që krijoi një lidhje me të duke hapur një “luftë” me atë që ishte një nga miket e saj më të ngushta.
“Më mori të dashurin,”- kështu ka thënë Big Mama. Madje vazhdoi më tej për të treguar se e kishte strehuar në shtëpi këngëtaren e muzikës popullore Rovena Stefa dhe e kishte ndihmuar që të ndërtonte një karrierë në Kosovë dhe si shpërblim, kishte marrë tradhëtinë. Stefa nuk i ka adresuar kurrë pretedimet e Big Mamës.
Françeska Jaçe
Modelja dhe ish-konkurrentja e “Big Brother” është përleshur gjithashtu me një vajzë në një nga kafenetë e Tiranës. Për ngjarjen u raportua se Jaçe kishte rrahur ish-gruan e të dashurit e saj biznesmen. Por nuk ishte ky i vetmi rast. E reja nga Vlora është filmuar në një rast tjetër teksa dhunon një vajzë në një dyqan.
Trejsi Sejdini, “gansterja e Elbasanit”
Sherret dhe përplasjet e filmuara nuk janë të reja për Trejsi Sejdinin. Kështu ajo fitoi nofkën e saj “gangsterja e Elbasanit” pasi ishte filmuar duke dhunuar një grup të rinjsh. Herën e dytë që u filmua, po dhunonte një vajzë nga Laçi. E gjitha ndodhi në një club të Tiranës dhe u filmua nga dhjetra persona, por ish-Miss “Universe Albania 2018”, mohoi gjithçka.
Trejsi Sejdini pretendoi se nuk kishte marrë pjesë në sherr, por vetëm ishte e pranishme në vendin ku ndodhi ngjarja.
“Përshëndetje! Ka disa ditë që qarkullon lart e poshtë një video ku duket sikur unë përfshihem në një debat. Faktikisht pamjet e njerëzve jashtë atij clubi të lënë ta mendosh diçka të tillë por unë doja t’ju qetësoja sadopak të gjthëve pasi lajmi nuk është i vërtetë. Unë kam ardhur për pushime me mikeshat e mia dhe s’kam lidhje me asnjë konflikt. Nuk është faji im që ka njerëz që zihen nëpër clube ku jam dhe unë prezente po kjo s’do të thotë detyrimisht që kam dhe unë lidhje me sherrin! Kështu që merruni me punët tuaja se të ishte për portalet do më kishin nxjerrë mam të divorcuar me dy kalamaj deri tani. Kalofshi një ditë të mirë!,”- shkruan Trejsi në postimin e saj.
Por në lidhje me këtë sherr ka reaguar edhe vajza tjetër që ishte e përfshirë në këtë sherr. Ajo shprehet se kanë rënë pre e provokimeve, duke akuzuar indirekt Trejsin se ishte ajo që e kishte dhunuar.
“Më vjen shumë turp që u bëra pjesë e një ngjarje të tillë, por me besoni që ndodh të biesh pre e provokimeve të turpshme me vlerë 20 cnet. Unë në të kaluarën time nuk kam asnjë ngjarje të tillë, që duke u krahasuar me personin përballë, rastet kanë qenë përherë publike. Këshilla ime ishte të mbetemi FEMRA përballë çdo miss trasgender që na del para.”
Kejvina-Einxhell-Oriola
Në vitin 2019, gy modelet Kejvina Kthella dhe Oriola Marashi janë konfliktuar fizikisht me moderatoren Einxhel Shkira. Gjithë historia nisi pas disa batutave që Shkira bëri për modelen Kejvina Kthella, pasi kjo e fundit kishte fituar çmimin e javës te “Dance ëith me”, ku kërcente çift me ish–politikanin Eduart Ndocaj. Pas komentit të Einxhellit, Marashi dhe Kthella i shkuan poshtë shtëpisë për të “sqaruar” moderatoren, debat që përfundoi edhe ky në dhunë fizike. Einxheli është parë në rrugë nga patrulla e Policisë, duke vendosur që të bëjë edhe denoncimin, e shoqëruar nga vëllai i saj.
Asokohe, Einxhel Shkira tregoi për mediat se: Unë u gjenda e papërgatitur, pasi zbrita për të takuar pa asnjë paramendim Kejvinën, me të cilën kemi prej kohësh një marrëdhënie shoqërore të rregullt në distancë. Atje u përballa menjëherë me një sulm fjalësh dhe kërcënimesh. Isha një kundër dy dhe në debat e sipër, gjaknxehtësia bën të vetën.
Dy vajzat e tjera nuk u prononcuan kurrë për rastin.
Kejvina dhe Françeska (sërish)
Po në vitin 2019, u përfol se dy modelet seksi, Kejvina Kthella dhe Françeska Jaçe, nuk flisnin me njëra-tjetrën. Pas disa fotove që publikuan së bashku në rrjetet sociale, vajzat nuk u panë më në shoqërinë e njëra-tjetrës. Por përse u zunë?
Sherri ndodhi vetëm për një çantë “Channel” dhe detaje më shumë për këtë konflikt ka dhënë ish-banori i “Big Brother”, Ben Kasemi, i cili është shprehur se Kejvina dhe Françeska nuk flasin me njëra-tjetrën dhe shkak është bërë një aksesor luksoz që Kejvina i ka marrë borxh Françeskës e më pas e ka humbur. Në një status në “Instastory”, Beni shkruan se arsyeja e sherrit mes dy vajzave, të cilat ai i quan ‘modele’, është një çantë e markës “Channel”.
“Boll me Françeskën se ia kemi rrit pazarin. Tani Kejvina i ka marrë borxh një çantë ‘Channel’ kësaj dhe na i paska humbur kësaj ‘modeles’. Kjo e akuzon se Kejvina ia kishte vjedhur dhe Kejvina si zonjë e rëndë ia bleu në dyqan dhe ia dha të re. Që atë ditë u prishën. PS: Hajde sqarim hajde!”
Kështu me historitë e tyre, kryesisht banale, ndër vite ka ndodhur që vajzat e estradës të përfshihen për përplasje fizike duke përfunduar edhe në Polici. Një botë dhe mënyrë jetese shumë-shumë larg asaj që reklamojnë në rrjetet e tyre sociale edhe sot. Megjithatë, asnjë prej tyre nuk ka kërkuar kurrë falje, as për publikun, as për personat që kanë dëmtuar, duke dhënë kështu një shembull që sigurisht nuk duhet ndjekur