Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar pretendimet e Ilir Kupës për të shfuqizuar dënimin me 25 burg dhënë nga drejtësia shqiptare për arratisjen e dhunshme nga burgu i Trikallës në Greqi në vitin 2013.
Kupa u gjykua në Shqipëri për këtë çështje, bazuar në dosjen hetimore të ardhur nga pala greke. Kjo për shkak se pas arratisë së bujshme, ai u prangos në tokën amë si pjesë e “bandës së babagjyshave”. Në Gjykatën Kushtetuese, Kupa pretendonte se vendimet e dhëna nga Shkalla e Parë dhe Apeli i Krimeve të Rënda e më pas nga Gjykata e Lartë, ishin anti-kushtetues.
Sipas tij, në Gjykatën e Lartë i ishte mohuar e drejta për t’u dëgjuar dhe se gjykatat në të tre shkallët e kishin dënuar në mungesë të provave.
Në arsyetimin e saj, Kushtetuesja i vlerësonte të pabaza pretendimet e Kupës dhe vendoste të mos e kalonte për shqyrtim në seancë plenare kërkesën e tij. Ilir Kupa u dënua me 25 vite burg nga Gjykata për Krimet e Rënda në maj të vitit 2016, dënim që u zbut në 16 vjet e 8 muaj në Apel. Vendimi i Apelit u prish nga Gjykata e Lartë në nëntor 2022 dhe në fuqi u la dënimin me 25 vite.
Për dosjen greke, Ilir Kupa u fajësua për 6 vepra penale, mes të cilave “grup të strukturuar kriminal” dhe “vrasje me dashje ndaj funksionarit publik”, mbetur në tentativë, në dëm të dy gardianëve të burgut grek.
Nga burgu i Trikallës, Kupa u arratis me 10 shqiptarë të tjerë të dënuar, mes të cilëve Admir Muratajn e Klement Cala, të përfshirë në vitin 2019 në grabitjen e miliona eurove në Rinas, ku Murataj mbeti i vrarë. Ndërsa në çështjen penale, ku ishte pjesë e “bandës së babagjyshave”, të akuzuar për 13 episode grabitjes me armë, Kupa mori një dënim me 35 vite burg, raporton A2.