Arrestohet në Britaninë e Madhe Edison Muçeku, 34 vjeç, i kërkuar nga drejtësia shqiptare
Edison Muçeku, i akuzuar nga SPAK si pjesë e një grupi kriminal që tentoi vrasjen e Hamza Terziut, është arrestuar në Britaninë e Madhe. Ngjarja lidhet me një sulm të armatosur ndaj shtëpisë së Terziut në fshatin Zënisht.
Sipas dosjes hetimore, Muçeku dyshohet të jetë pjesë e grupit kriminal të udhëhequr nga Hektor Xheçuka, i shpallur gjithashtu në kërkim nga SPAK. Në atentatin ndaj Terziut dyshohet të jenë përfshirë edhe Hektor Xheçuka, Albert Zaja, Florenc Kelmendi dhe Ardit Gjokrosa, përveç Muçekut.
Hektor Xheçuka, i njohur edhe si Tor Xheçuka, identifikohet si një nga anëtarët e grupit kriminal të Ervis Martinajt dhe dyshohet se kishte planifikuar gjithashtu vrasjen e “të fortit të Niklës”, Durim Bami.
Akuzat ndaj tyre u ngritën pas zbulimit të bisedave të koduara në aplikacionin Sky ECC.
Njoftimi
Policia e Shtetit/Vijon bashkëpunimi me homologët për lokalizimin, kapjen dhe ekstradimin e personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar.
Finalizohet nga autoritetet britanike, pas shkëmbimit të informacionit me Policinë e Shtetit, operacioni policor i koduar “Another”.
Si rezultat i shkëmbimit të informacioneve mes Policisë së Shtetit dhe autoriteteve britanike, është bërë i mundur lokalizimi, kapja dhe arrestimi me qëllim ekstradimi i shtetasit të shpallur në kërkim ndërkombëtar, E. M., 34 vjeç.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar. Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, ka caktuar ndaj tij masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprat penale: “Sigurimi i kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje, në formë të veçantë dhe në bashkëpunim”, “Grup i strukturuar kriminal”, dhe “Pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal”.
Interpol Tirana, në bashkëpunim me Interpol Manchester, po vijon procedurat për ekstradimin e këtij shtetasi drejt vendit tonë.