Ish-zëvendëskryeministri i Maqedonisë së Veriut, Artan Grubi, dyshohet se ndodhet në Shqipëri. Grubi është në kërkim ndërkombëtar, pasi ndaj tij është caktuar masa arrest me burg pas shpalljes non grata nga SHBA.
Alsat shkruan se biznesmeni dhe Konsulli i Nderit i Kosovës në Maqedoninë e Veriut, Arsim Papraniku ka deklaruar në polici se e ka dërguar Grubin me makinë deri në Tiranë. Pasi ndaj tij u caktua masa arrest me burg, Grubi u largua nga Maqedonia e Veriut me një mjet me targa diplomatike që drejtohej nga biznesmeni Papraniku. Bizesmeni ka deklaruar në polici se më 15 dhjetor ka dërguar me makinë ish-zëvendëskryeministrin Artan Grubi në Tiranë, ku kanë pirë kafe dhe e kanë lënë në një hotel pranë stadiumit ‘Air Albania’.
Edhe zëvendëskryeministri i parë, Izet Mexhiti pretendon se Grubi ndodhet në Shqipëri ka nënvizuar.
“Sipas informacioneve ai nuk ndodhet në Kosovë, është në Shqipëri. Por kjo nuk ka rëndësi, duke ikur ai provoi fajin dhe për këtë arsye u arratis jashtë vendit. Mendoj se sot, nesër apo pasnesër ai një ditë do të përballet me drejtësinë”, theksoi Mexhiti.
Gjykata Themelore në Shkup ka vendosur që masa e paraburgimit prej 30 ditësh për ish-zëvendëskryeministrin e parë, Artan Grubi të mbetet ende në fuqi. Grubi, së bashku me ish-drejtorin e Lotarisë Shtetërore, Përparim Bajrami, akuzohen për “përvetësim të pasurisë së paligjshme” nga Lotaria Shtetërore, ndërsa dëmi i shkaktuar vlerësohet të jetë rreth 8.2 milionë euro. Më 18 dhjetor, ndaj tyre u shpall edhe një fletarrestim ndërkombëtar.
Artan Grubi, u shpall non grata nga SHBA, më 9 dhjetor 2024. Në njoftimin e DASH thuhej se Grubi është përfshirë në korrupsion të madh duke pranuar ryshfet për t’i minuar proceset gjyqësore të lidhura me dënimin penal të Sasho Mijalkovit, ish-drejtorit të shërbimit sekret.