Telashe për një tjetër kryebashkiak të PS. Kryetari i Bashkisë së Krujës Artur Bushi është thirrur sot nga SPAK.

Gazeta Jone meson se Bushi ka mbërritur në Prokurorinë e Posaçme, por nuk dihet arsyeja konkrete e thirrjes së tij nga SPAK. Ai po merret në pyetje nga hetuesit e BKH-së.

Artur Bushi është një emër i përfolur dhe i akuzuar shpesh nga opozita për të kaluarën e tij.

Vetëm një ditë më parë u arrestua me urdhër të SPAK kryetari i bashkisë së Bulqizës Lefter Alla si dhe disa zyrtarë të tjerë të kësaj bashkie, përfshirë nënkryetaren për abuzim me tenderin e rrjetit të ujësjellësit.

Po dje ish-kryebashkiaku i Durrësit Vangjush Dako ka dëshmuar për 3 orë në SPAK, por nuk dihet motivi. Ndërkohë që të tre zyrtarët dhe ish-zyrtarët kanë çështje të hapura në SPAK.

Pas verifikimeve të kryera në lidhje me materialet kallëzuese ndaj shtetasit Artur Bushi, rezulton se kanë ardhur gjithsej 7 materiale kallëzuese, nga të cilët:

Për 3 materiale kallëzuese është regjistruar procedim penal.
Për 2 materiale kallëzuese është vlerësuar të dërgohen për kompetencë në Prokuroritë e Rretheve Gjyqësore.
Për 2 materiale kallëzuese është vendosur mosfillim procedimi.

Në lidhje me procedimet penale rezulton:
Për një procedim penal është vendosur të dërgohet në Gjykatë me kërkesë për pushim (pa persona të regjistruar në regjistrin e procedimeve penale);
2 procedime penale janë në fazën e hetimit dhe emri i shtetasit Artur Bushi, deri në këtë faze të hetimit, nuk është i regjistruar në regjistrin e procedimeve penale.