Makina e përdorur nga ish-ministri i Brendshëm Bledi Çuçi ka qenë e mbushur me gjoba të akumuluar për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor.

Këtë e zbulon pasaqrdhësi i tij, Taulant Balla, i cili shprehet se i ka kërkuar Policisë së Shtetit të mos tolerojë asnjë eksortë zyrtarësh, deputetësh apo qoftë edhe ministrash.

“Eshtë për të ardhur keq, sepse përveç të tjerash ministrat nuk i drejtojnë makinat vetë dhe s’ka pse emrat e tyre të përmenden nëpër portale apo tv (siç ndodhi sot me paraardhësin tim që sapo la detyrën) për shkak se Policia e Shtetit nuk ekzekuton vendimet e gjobave përkatëse”, thotë ndër të tjera Balla.

Çuçi ka përdorur një makinë super-luksoze model “BMW” të tenderuar nga ish-ministri Sandër Lleshaj. Sipas rregullave të rrugores, makina mund të bllokohet nëse ka mbi 3 gjoba të papaguara.

Reagimi i plotë i ministrit të Brendshëm Taulant Balla:

Sot i kam tërhequr vëmendjen strukturave të Policisë së Shtetit për lejimin e akumulimit të gjobave për shkeljet e rregullave të qarkullimit nga ana e automjetit të Ministrit të Brendshëm!

Standarti i vendosur nga Kryeministri Rama qysh në ditën e parë të marrjes së detyrës nga ana e tij, ka qenë i qartë. Eskorta e kryeministrit e para dhe më pas të gjitha automjetet e tjera zyrtare të ministrave, deputetëve e me radhë, nuk mund të shkelin rregullat e qarkullimit përveçse në raste emergjencash të lidhura me detyrën. Ai standart i dha fund spektakleve prej të fortësh në rrugët e qytetit Tiranë mëngjes, drekë, darkë me sirena e me kapërcime semaforësh, të kategorive të lartpërmendura.

Eshtë për të ardhur keq, sepse përveç të tjerash ministrat nuk i drejtojnë makinat vetë dhe s’ka pse emrat e tyre të përmenden nëpër portale apo tv (siç ndodhi sot me paraardhësin tim që sapo la detyrën) për shkak se Policia e Shtetit nuk ekzekuton vendimet e gjobave përkatëse!

Uroj që kjo kujtesë t’u shërbejë të gjithëve për të bërë detyrën e tyre sipas ligjit.