4 ditë pas vdekjes së Jonada Avdisë, vogëlushes që u godit nga skafi i komisarit të policisë Arjan Tase, ministri i brendshëm Bledi Çuçi më në fund ka zgjedhur që të reagojë publikisht. Por jo për Jonadën… as për ndonjë përgjegjësi morale dhe politike që pranon të marrë përsipër pas ngjarjes.

Ai reagon për kundërshtarët politikë, dhe për lajmet që qarkulluan në media se është pronar i një biznesi mjetesh të ujit, gjë të cilën nuk e mohon, pasi është e faktuar me dokumente, por thotë se është një shoqatë që e ka ngritur me miq pasionantë, pa qëllime fitimi.

Çuçi deklaron si arritje të tij arrestimin e Arjan Tases, i cili në fakt tentoi që të largohej nga vendngjarja, por u mbajt aty në sajë të këmbënguljes së dhjetra pushuesve që u bënë dëshimtarë të skenës së rëndë.

Për ta thelluar dhe më tej skandalin, do të mendonte Agjensia e Mbikqyrjes Policore, po në varësi të Çuçit, që të nesërmen e ngjarjes ngriti akuzën e vrasjes nga pakujdesia për Tasen, që parashikonte një dënim nga gjobë deri në 5 vite burg. Është prokuroria e Vlorës ajo që e ka ndryshuar akuzën për komisarin e shkarkuar tashmë të policisë, duke e akuzuar për vrasje me paramendim.

Ndërkohë që ngjarja e Himarës është edhe më e rëndë, për shkak se ishte e paralajmëruar. Një tjetër i ri, Agustin Sefa, për më shumë se 17 ditësh gjendet në spitalin e Traumës në Tiranë, pasi u godit nga një tjetër gomone në Jalë.

10 ditët e tij në koma, dhe operacionet e njëpasnjëshme, nuk bënë as shtetin të reagonte dhe as institucionet e drejtësisë të vepronin, pasi Gjergji Priftuli, drejtuesi i mjetit shijon lirinë që dy ditë pas aksidentit tejet të rëndë.

Reagimi i Bledi Çuçit:

Ka një përpjekje për të prodhuar fakte që të ilustrojnë akuzat e gatshme të Sali Berishës ndaj meje pas tragjedisë së fundit në Himarë. Për respekt të opinionit publik, që me të drejtë është i ngarkuar nga tragjedia e vajzës 7-vjeçare dhe dhimbja e familjes së saj, dua të sqaroj se sajesat me emrin tim dhe një shoqatë velierash sportive që kam krijuar me miq pasionantë të tyre, nuk kanë lidhje me asnjë biznes dhe aq më tepër me skafe apo gomone.

I hedh poshtë me neveri këto sajesa, pasi duan të keqpërdorin në mënyrë të neveritshme këtë ngjarje tragjike, për ta mbajtur gjallë për hallet e tyre politike.

Gjatë këtyre ditëve të rënda për çdo shqiptar, por veçanërisht për familjen e vajzës dhe për ne që jemi përgjegjës për sigurinë e jetës së tyre, jam përpjekur të flas me veprime konkrete kundër fajtorëve të asaj tragjedie, të cilët tani janë para drejtësisë, përfshirë gjithashtu dhe të gjithë zinxhirin komandues të Policisë Kufitare Vlorë.

Mendoj se kjo është rruga e duhur për të respektuar dhimbjen e familjes së vajzës dhe të afërmve të saj. Rruga për t’u përballur me baltën e Sali Berishës është 30- vjeçare dhe nuk më sfidon. Thjesht e kemi detyrim ndaj shqiptarëve të ndajmë fatin e Shqipërisë nga fati dhe balta e tij.