Policia e Shkodrës ka dalë me një deklaratë zyrtare në lidhje me zbardhjen e atentatit mbrëmjen e 4 Janarit në zonën e Dragoçit në Shkodër, ku u ekzekutua me breshëri kallashnikovi 33-vjeçari Ramazan Mataj brenda automjetit të tij, tip “Mercedes Benz”.

Në kuadër të operacionit policor të koduar “Profili i Rremë” është vënë në pranga 29-vjeçari, Arjon Hasaj, i cili dyshohet se ka qenë në rolin e qitësit, si dhe vëllai i tij, Klisman Hasaj, 20 vjeç, i cili dyshohet se ka qenë në rolin e bashkëpunëtorit. Autorët janë nga fshati Dragoç i Postribës, i njëjti fshat me viktimën.

Sipas autoriteve policore, nga hetimet ka rezultuar se 33-vjeçari Ramazan Mataj dyshohet se kishte ndikuar për prishjen e marrëdhënieve bashkëshortore të motrës së dy vëllezërve Hasaj. Autori Arjon Hasaj, sipas Policisë, kishte përdorur një profil të rremë në Facebook për të nxjerrë në pritë viktimë.

“Nga hetimet rezultoi se shtetasi Arjon Hasaj, 29 vjeç, banues në Dragoç, për motive të dobëta, ka organizuar dhe ka kryer vrasjen e shtetasit Ramazan Mataj. 29-vjeçari, nëpërmjet llogarive të rreme në rrjete sociale, ka komunikuar me shtetasin Ramazan Mataj, për ta nxjerrë në pritë në fshatin Dragoç, ku dhe dyshohet se e ka vrarë. Gjithashtu, nga hetimet dyshohet se shtetasi Ramazan Mataj kishte ndikuar për prishjen e marrëdhënieve bashkëshortore të motrës së autorit. Autori i dyshuar është ndihmuar nga vëllai i tij, shtetasi Klisman Hasaj, për sigurimin e kushteve për të kryer vrasjen dhe për të fshehur armën e krimit.” – deklaroi drejtori i Policisë së Shkodrës, Fatmior Lleshaj.

Policia deklaroi se pas kontrolleve të ushtruara ka gjetur dhe armën e zjarrit kallashnikov me të cilën dyshohet se autori Arjon Hasaj ka kryer vrasjen. Pas krimit, dy vëllezërit e kishin fshehur armën në një zonë të pyllëzuar dhe më pas e groposën në tokë në oborrin e banesës.

Mbi Arjon Hasajn rëndojnë akuzat për veprat penale “Vrasja me paramendim” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit luftarak”, ndërsa mbi Klisman Hasajn vepra penale “Sigurimi i kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje”.

Ndërkohë, Policia e Shkodrës ka publikuar edhe pamjet nga momentit kur autori i dyshuar i vrasjes është larguar me biçikletë pas krimit, teksa shfaqen edhe momente kur arrestohen, apo kur gjendet arma e krimit. /gazetajone