Detaje të reja janë zbardhur nga dosja hetimore për vrasjen e Roland Rexhepit.
Pak ditë nga identifikimi i autorit të pestë Gëzim Balla, një emër tjetër dyshohet se është pjesëmarrës në vrasje.
Elvis Fetahu, një emër mjaft i njohur për policinë kriminale në Elbasan, rezulton i dyshuar si pjesëmarës në vrasjen e Rexhepit, i cili njihet ndryshe me nofkën “Doda”.
Fetahu dyshohet se është autori i gjashtë i identifikuar si pjesëmarrës në vrasjen e ish-shefit të antidrogës në policinë e Elbasanit, Roland Rexhepi.
Sipas dosjes hetimore të siguruar nga“Ora News” për shkak se brenda furgonit “Renault” nga ishte survejuar viktima Roland Rexhepi, janë gjendur bishta cigare me ADN të ndryshme dhe profile gjurmësh gishti të tjera, prokuroria ka kryer ekspertimi daktiloskopik krahasues me një rreth të gjerë personash.
Në dosjen e siguruar nga Oranews thuhet se gjurmët e gjetura në vendin e ngjarjes janë krahasuar me gjurmët e shtetasve Ardjan Çapja, Florenc Çapja, Fejzulla Çapja, Agron Çapja, Enver Çapja, Bledar Muça, Sajmir Bako, Fatjon Hasa, Elvis Fetahu, Elis Killa, Dritan Hida, Alban Balliu, Dritan Myrta, Sajmir Osmani, Hysen Tafa, Viktor Tafa, Aurel Boçi.
Asnjërit prej tyre nuk rezultuan gjurmët e njëjta të gjendura në furgonin tip “Renault”.
Por emri i Elvis Fetahut, ka dalë nga thëniet e Gëzim Ballës, personit që aktualisht është shpallur në kërkim nga policia dhe prokuroria e Elbasanit.
I arrestuari Donald Hoxha ka s’qaruar se së bashku me Gëzim Ballën kanë shkuar në muajin korrik 2009 në Maminas të Durrësit, ku kanë blerë një furgon “Renault” të bardhë dhe më pas e kanë çuar mjetin në zonën e stadiumit “Ruzhdi Bizhuta” në Elbasan, zonë kjo ku vepron grupi kriminal “Çapja”, në të cilin aderonte dhe Ervis Fetahu.
Sipas dëshmisë së Donald Hoxhës, kur kanë blerë furgonin në Maminas, ai ka marë drejtimin e mjetit dhe është drejtuar nga Tirana, e më pas në Elbasan. Gjatë rrugës e shoqëronte nga pas me makinën private, Gëzim Balla.
“…kur mbërritëm në Elbasan, Gëzim Balla më mori prapë në telefon dhe më tha që furgonin ta parkoja tek stadium, sepse do e dërgonte më vonë diku për ta rregulluar. Unë furgonin atë ditë, e parkova në një rrugë dytësore prapa stadiumit, afër parkut dhe çelësin ia dhashë Gëzimit. Pas këtij momenti unë furgonin as nuk e kam parë dhe as nuk e kam ngarë më. Një javë më pas unë pashë në lajme që ishte vrarë një shtetas dhe në foto kontastova një furgon që dyshohej se ishte përdorur në këtë vrasje, që mu duk shumë i ngjashëm me atë që Gëzimi bleu në Maminas…”-ka treguar në polici Donald Hoxha.
Gëzim Balla, ka treguar se furgoni tip “Renault” i nevojitej Elvis Fetahut, personazh ky që në atë kohë ishte pjesë e grupit “Çapja”.
Madje Elvis Fetahu, është hetuar dhe verifikuar dhe në ngjarjen e rëndë, ku u tentua të vritet me armë zjarri në vitin 2006 në Elbasan, Fadil Mema si dhe sipas dëshmisë së këtij të fundit dhënë në prokurori, Elvisi është hetuar dhe për një plagosje në Peqin.
Tashmë hetimi i prokurorisë dhe policisë Elbasan është përqendruar pikërisht tek, Elvis Fetahu, i cili dyshohet si njeriu që ka marrë furgonin në bashkëpunim me Gëzim Ballën dhe Donald Hoxhën.
Për vrasjen e Roland Rexhepit, gjykata e Elbasanit vendosi të dënojë në muajin Maj 2024 me 12 vite burgim, Florind Shabanin e njohur në Elbasan me nofkën “Paçuku”.
Ndërsa në vitin 2012, për këtë vrasje në Elbasan janë dënuar Armand Llakaj dhe Marjus Tafa, përkatësisht me 25 dhe 23 vite burgim dhe aktualisht vijojnë të qëndrojnë në burg.
Tashmë në burg, në pritje të gjykimit është Donald Hoxha, i cili është identifikuar nga një gjurmë gishti e zbukuar nga prokuroria në furgonin Renault të bardhë.
Roland Rexhepi u vra në vitin 2009 në Elbasan. Ngjarja e rëndë u pa nga dhjetra banorë të lagjes “Vullnetari”, të cilët sapo kishin dalë nga shtëpia atë mëngjes, për të shkuar drejt punës së tyre.
Dy vite pas vrasjes së ish-efektivit të policisë Roland Rexhepit, në 30 dhjetor 2011, vritet në Elbasan në një atentat vëllai i tij, Ilir Rexhepi. Për këtë krim është identifikuar si autor Mihal alias Geni Toshi, i cili ka bashkëpunuar me një tjetër person nga Korça me A. Çollaku.