Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka dënuar me 28 vite burg Ilir Selmanin dhe me 7 vite burg Elvis Gaçajn, të akuzuar për vrasjen e Santiago Malkos më 27 gusht 2019 në zonën e “Xhamllikut” në Tiranë

SPAK kishte kërkuar dënimin me 25 vite burg për Ilir Selmanin, teksa GJKKO ka shtuar dhe 3 vite më shumë, ndërsa Gaçaj është dënuar po aq vite burg sa kishte kërkuar SPAK. Ilir Selmani njihet ndryshe dhe me nofkën “boksieri”.

Ish polici, Santiago Malko, njihej si krahu i djathtë i të shumëkërkuarit të drejtësisë, Ervis Martinaj dhe dyshohet se u ekzekutua nga anëtarët e klanit ‘Duka’ që njihen si rivalët më të mëdhenj të biznesmenit të lojërave të fatit i cili ka humbur gjurmët prej muajsh, që pasi u shpall në kërkim në kuadër të operacionit ‘Plumbi i Artë’.

Për vrasjen e Malkos, i njohur si mik i Ervis Martinajt, SPAK akuzon klanin Duka me përfshirjen e Leonard Dukës, Erlis Dukës, Oltian Logës, Aleksandër Maxhakut, Fatmir Hysenit (Musai), Dritan Agajt.

Në vrasjen e Malkos ekzekutor dyshohet të jetë Fatmir Hyseni (Doqja) nga Vlora, i shpallur në kërkim. Ndërkohë që akuzohen si organizatorë vëllezërit e klanit Duka, Leonard dhe Erlis Duka.

Leonard Duka është arrestuar në shkurt të këtij viti në Belgjikë, pasi ka një masë sigurie “arrest në burg” nga Gjykata e Posaçme, ndërsa ende nuk ka një dritë jeshile për ekstradimin e tij.

Më parë për vrasjen e Santiago Malkos është dënuar me 25 vite burg Blendi Teta, i cili dyshohet se ka patur rolin e informatorit.