Në natën tragjike në një restorant në Graçanicë, përveç familjes Murseli ishte edhe Granit Plava, personi që dyshohet se e vrau Liridonën. Ai u largua nga aty para tyre me veturën që u pa edhe në vendin e ngjarjes.

Sa herë që vinte në Kosovë, Liridona Ademaj ishte mysafire e rregullt e një restoranti në Graçanicë. Aty, ajo shkoi edhe në mbrëmjen e 29 nëntorit, bashkë me burrin Naim Murseli dhe dy djemtë e saj.

Por 30-vjeçarja nuk ishte në dijeni se vetëm pak tavolina më tutje, po hante darkë Granit Plava, personi që dyshohet se u pagua nga Naim Murseli për ta vrarë Liridonën. Ai kishte porositur “pleskavicë” dhe ndërkohë që hante e vëzhgonte tavolinën ku Naim Murseli ishte bashkë më familjen.

T7 nga burime të sigurta merr vesh se Plava është ngritur pak minuta më herët sesa familja Murseli të largohet nga restoranti. E largimin, pas dy orë qëndrimi në restorant, e kapën kamerat e sigurisë që tash janë në duar të policisë.

Nga aty Policia e Kosovës identifikoi se Plava u largua me veturën e njëjtë që ishte parë edhe tek vendi ku ndodhi ngjarja tragjike e 29 nëntorit. Plava po priste tek një vend në Bërnicën e Epërme të cilët banorët e quajnë Sinidoll e që gjendet në periferi të Prishtinës, aty ku familja Murseli kishte blerë një shtëpi.

Në vendin e ngjarjes gjendet një kthesë e madhe, që detyron shoferët të ndalin shpejtësinë e lëvizjës. Madje pak metra më lartë, rruga është e dëmtuar që domosdo automjeti duhet të lëvizë ngadalë. T7 ka qëndruar të martën në restorantin, ku Naim Murseli ka ngrënë darkën e fundit me familjen e tij, por ata nuk kanë dashur të komentojnë asgjë lidhur me këtë rast.