Më 24 korrik Presidenti i ri i Republikës, Bajram Begaj bëri betimin dhe nisi punën si Kreu i Shtetit shqiptar.
E hëna e kësaj jave ishte dita e parë e punës për të. Detyrën e nisi duke firmosur dekretet e ndryshimeve në Qeveri.
Katër javët e fundit si president i zgjedhur, Begaj ka nisur të krijojë stafin e ngushtë që do të punojë pranë tij.
Burime pranë presidencës i thanë Vox News se, si shef të kabinetit Begaj ka marr Eduart Seitajn, i cili më parë ka mbajtur postin e Sekretarit të Përgjithshëm në Ministrinë e Transporteve kur drejtohej nga Edmond Haxhinasto.
Si Sekretar të Përgjithshëm ka marr Florian Kalin, më parë drejtor në Ministrinë e Mbrojtjes.
Këshilltar për pushtetin e vendor ka përzgjedhur Klement Zgurin, një ndër juristët dhe figurat publike me mjaft integritet.
Po ashtu ka afruar si këshilltarë Alma Shehun nga KLSH, Llambriola Misto, ish-kandidate e LSI dhe Alket Jaupin nga Avokati i Popullit.
Ndryshimet pritet të vijojnë ndërsa ka ikur Ketrin Treska me dorëheqje, ku në një letër të gjatë ka shpjeguar dhe arsyet e largimit.
Ndërsa pritet gjithashtu largimi i drejtorit të Komunikimit Edvin Shvarc që sipas zërave në korridoret e presidencës do të zëvendësohet nga një gazetar-analist që më parë ka punuar me Metën dhe Majkon.
Ndryshimet nuk na habisin, pasi stafi i presidencës është më shumë se sa kaq, por ajo që ka krijuar zemërim te punonjësit e këtij institucioni është forma me të cilën po punon presidenti i ri për të larguar stafin e vjetër.
Një pjesë e mirë e këtij stafi kanë vite që punojnë në administratë dhe do të duhej të konsideroheshin edhe si investim nga vetë institucioni.
Por mesa duket Presidenti Begaj ka ardhur me bisturi në dorë.
Urdhrat e tij në lidhje me mënyrën se si duhet të trajtohet stafi i vjetër janë komentuar të “pa para më parë” në dyert e këtij institucioni.
Tri ditë më parë Vox News informoi se në ditën e parë të punës, presidenti Begaj ka kërkuar dorëheqjen e gjithë stafit të Ilir Metës, ndërsa ata që kanë ikur nuk janë lejuar të marrin as sendet personale nga zyrat e tyre! Edhe pse kanë kaluar pesë vite aty, tashmë ata nuk mund të shkelin me në ish- zyrën e tyre! Urdhër nga… Presidenti!
Burimet i thanë Vox News se Këshilltarët e Metës janë lënë me minuta të tëra pas derës kryesore duke mos lejuar që të futen në zyrë!
Teksa kërkonin t’u hapej dera si çdo ditë, fjalia e rojes ishte: Më falni, por na është thënë që nuk mund të futeni në institucion, ndërkohë deri në ato momente ishin pjesë e stafit!
Edhe pse bëhet fjalë për figura të njohura si ambasadori Flamur Gashi, mësohet se urdhri ka qenë i prerë nga… Sekretari i Përgjithshëm për të mos lejuar asnjë të hyjë në institucion.
Ndërkohë ka një tension në zyrat e presidencës dhe ata që janë ende në detyrë nga stafi i mëparshëm e kanë kuptuar që ditët e tyre janë të numëruara në një nga godinat më të rëndësishme të vendosur në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.
Presidenca është institucioni më i rëndësishëm në shtetin shqiptar, por i besuari i Presidentit për Sekretar Përgjithshëm zoti Kali duket se nuk ka “fre” në ditët e para.
Zëri i tij i lartë mund dëgjohet edhe përtej mureve të presidencës! Mesa duket, doktor Begaj ja paska dhënë këtë të drejtë./voxnews.al