Një garë armatimesh duket se ka nisur në Ballkan. Në këtë drejtim, Serbia ka vendosur të rikthejë shërbimin e detyrueshëm ushtarak për qytetarët dhe fabrikat vendase vijojnë të prodhojnë municione, ndërsa në nëntor, në Beograd zbarkuan edhe helikopterët sulmues Mi-35P, të cilët Vuçiç i bleu nga Qiproja.
Sakaq, Kosova përveç rritjes së buxhetit për Mbrojtjen duke e çuar në 200 milionë euro, do të pajisë ushtrinë e saj edhe me raketa “Javelin”. Arma më e re amerikane pritet t’i shtohet arsenalit të FSK-së, pasi SHBA ka pranuar kërkesën e qeverisë së Albin Kurtit për blerjen e saj.
Po ashtu Kosova ka blerë dronë Bayraktar nga Turqia dhe së fundmi ka pajisur policinë me armë të gjata me perimetër 800 metër, që janë blerë nga Kroacia.
Edhe Shqipëria nuk ngelet pas në garën e armatimeve, teksa dy helikopterë amerikanë “Black Haëk” iu dorëzuan Forcave të Armatosura në fillim të vitit, si pjesë e porosisë së parë për helikopterë, mbështetur me mbi 50 milionë dollarë nga fondet e ndihmës së SHBA.
Ministria e Mbrojtjes po ashtu ka lidhur një kontratë me Turqinë për blerjen e 3 dronëve “Bayraktar”, të cilët pritet t’i shtohen arsenalit të FA-së në 2025, ndërsa interesi është shprehur edhe për raketat “Javelin”.
Por “Luani” i Ballkanit sa i përket garës së armatimeve është padyshim Greqia. Përveç arsenalit aktual, në një marrëveshje të firmosur rishtazi mes kryeministrit helene Kyriakos Mitsotakis dhe Sekretarit amerikan të Shtetit, Anthony Blinken, Athina do të marrë dhuratë nga SHBA, dy avionë C-130H, dhjetë motorë reaktivë P-3, 60 automjete luftarake këmbësorie Bradley, tre anije të klasit Protector dhe pajisje të tjera ushtarake.
Greqia po ashtu do të futet në programin përfitues së avionëve luftarakë F-35. Sipas marrëveshjes është arritur akordi për blerjen e 20+20 luftarakëve të gjeneratës së pestë moderne.
Pjesëmarrja në programin F-35 shënon një fuqizim të ndjeshëm të kapaciteteve mbrojtëse të Greqisë si dhe një përmirësim të pozicionit të saj diplomatik në rajonin e Mesdheut juglindor.
Armatimet e reja bëjnë që Greqia të konsolidojë edhe më tepër pozitat në renditjen e forcave të armatosura më të fuqishme në botë dhe rajon.
Sa i përket Ballkanit, Turqia kryeson renditjen me ushtrinë e saj dhe Athina e ndjek gjithmonë nga pas, ndërsa lista vijon me Rumaninë e Serbinë si ushtritë më të fuqishme.
Sipas listës së publikuar nga portali “Global Firepoëer”, që merret me analizën e ushtrive të vendeve të botës, Shqipëria renditet e 8-ta në rajon, duke lënë pas vetëm Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi, Bosnjën dhe Kosovën dhe në vendin e 91 në botë.