berisha benet beci

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka prezantuar në Shkodër kandidatët për deputetë në zgjedhjet ne 11 majit.

Në fjalën e tij, kryedemokrati deklaroi se kandidatët e tij nuk vijnë “nga bodrumet e Dobraçit”, por janë kandidatët e fitores.

“Këta nuk janë kandidatë që vijnë nga bodrumet e Dobraçit, por vijnë nga qytetet, fshatrat. Këta janë kandidatët e fitores. Edi Rama të garantoj se do marrësh atë që thua vetë, atë që meriton. 11 maji është fundi i tyre. Sot në postin e kryeministrit është një njeri që para shkodraneve nuk thotë dot asnjë premtim, sepse nuk ka mbajtur asnjë premtim”, tha Berisha.

Berisha u shpreh se zgjodhi Shkodrën për të nisur betejën për të shembur diktaturën e dytë. “Kjo është fushatë çlirimtare”, tha ai.

Fjala e Berishës në Shkodër:

Demokrate e demokratë, të dashur kandidate e kandidatë për deputete e deputetë të ardhshëm, përfaqësues të qytetarëve dhe banorëve të këtij rrethi, një falënderim dhe mirënjohje të pakufishme për këtë mikpritje të zjarrtë.

Në Shkodër, në Rozafën e lirisë, njeriu ndjehet më i lirë se kudo tjetër në Shqipëri, se kudo tjetër në botë.

Të dshur miq, askush nuk mund të thotë, nuk mund të shkruajë më shumë për Shkodrën se sa ka thënë historia për këtë qytet.

Ajo histori që shkodranët e kanë shkruar vetë me guxim, me mendje të ndritur, me zemër, me dashuri, me djersë dhe gjak për qytetin e tyre të bekuar në ditët më të vështira të tij,
Shkodra ka qenë dhe mbetet në histori qyteti i pikënisjes së epokave për kombin shqiptar.

Këtu në Shkodër nisi epoka e demokracisë dhe shembja e diktaturës komuniste ndaj dhe unë zgjodha Shkodrën për të nisur betejën për shembjen e diktaturës së dytë dhe ndërtimin kësaj here të Shkodrës madhështore, të Shqipërisë madhështore.

Të dashur miq, ne jemi në prag të një fushate elektorale që do shënohet në historinë ndoshta fushata më e rëndësishme zgjedhore e 34 viteve të fundit.

Sepse në këtë fushatë ne nuk kemi kundër një parti politike, ne kemi kundër një organizatë të tmerrshme kriminale që ka pushtuar Shqipërinë në 12 vite dhe që duhet rilindje.

Ne kemi përballë narkoshtetin e parë dhe të vetëm në Europë, tashmë të faktuar me dokumente themelore ndërkombëtare.
Prandaj kjo fushatë është në fakt një fushatë çlirimtare për Shqipërinë dhe për Shkodrën.

Por mbi të gjitha, kjo fushatë është çlirimtare për Shkodrën, sepse po të shohësh sot këtë qytet të bekuar, ndjen dhimbje, keqardhje të thellë.

Edi Rama, që i premtoi Edenin Shkodrën, u solli Brajat, Bajrët dhe Brajoviçët.
Edi Rama i solli qytetit vrasje, shpërthime,atentate, masakra, djem të rinj që vriten, qytetarë ët pafajshëm që vdesin nga plumba qorrë.

Shkodra e bukur, Shkodra e kulturës, Shkodra e artit, Shkodra e përjetshëm u shndërrua këto kohë si një qytet sicilian i viteve ’50 sepse Edi Rama u ka dhënë fuqi absolute bandave të narkoshtetit si të vetmen mënyrë që të sundojë Shkodrën e lirë.

Qytetarë dhe qytetare, a nuk ishin autokolonat e blinduara të Bajrëve dhe Bajroviçëve ditën e zgjedhjeve që ushtruan terror mbi qytetin për të vendosur Benet Brajoviçin në bashkinë e Shkodrës?

A nuk ishte masakra e Dobraçit masakra më e egër ku qytetarë të pafajshëm humbën jetën pak muaj më parë?
Përgjakja e Shkodrës nuk është i vetmi krim që Edi Rama ka bërë ndaj qytetit.

Përgjakja e Shkodrës është vepër e shëmtuar e të gjithë sistemit që ai vendosi në Shqipëri.
Por do i them këtu dy fjalë këtij Benet Brajoviçit: Benet, e more me autoblindat e Brajoviçëve mandatin e Bardh Spahiut, por ja ku është sot, ballëlartë, krenar dhe me një dallim.

Qytetarë dhe qytetare të Shkodrës, dallimi i tij është ky: Benet, Bardh Spahia u qëndroi besnikë qytetarëve të Shkodrës, i qëndroi besnik sojit të tij, të atit të tij, kurse ti Benet turpërove të parë dhe të mbrapmë dhe të garantosh që nuk do gëzosh atë mandat.

Ndaj dhe sonte mendo mirë që nesër të japësh dorëheqjen.
Se unë, Sali Berisha, do t’i them Shkodrës të gjithë të vërtetat që ti ke në shpirtin tënd të zi.

Ti je një Lal Vjedhës, kopja e tij.
Miqtë e mi, Edi Rama, Shkodrën, të cilën mendoi ta sundojë me Brajoviçët, e injoroi.

12 vite, Shkodra dhe të gjitha qarqet e veriut, kanë pasur investime as sa një qytet i mesëm në zonat e tjera.

Kurrë ndonjëherë nuk ka pasur një pushtues të diskriminojë Shkodrën dhe veriun siç e ka diskriminuar Edi Rama.
12 vite, familjet shkodrane janë varfëruar në ekstrem. Shkodra është qyteti më i madh, më i zbrazur i Shqipërisë.
As artin nuk e kurseu.

Jo më larg se dje larguan nga puna drejtorin artistik të orkestrës simfonike të Shkodrës vetëm për arsye politike.

Por ky sundim barbar së shpejti merr fund.
PD dhe Aleanca për Shqipërinë Madhështore zotohen para jush në mënyrë solemne, se për 55 ditë, këtij makthi të gjatë i vjen fundi.

Ndaj dhe unë jam këtu për të prezantuar kandidatët e fitores, kandidatët e interesave tuaja, kandidatët e qyteteve, fshatrave tuaj.

Për të prezantuar së bashku me ta projektin më madhështor për Shkodrën dhe Shqipërinë të 34 viteve të fundit.
Projektin më madhështor për Shqipërinë dhe Shkodrën të 340 viteve të fundit.
Projektin e ëndrrës shqiptare, e ëndrrës së të rinjve shqiptarë.

Këta janë kandidatët që nuk vijnë nga bodrumet e Dobraçit, por vijnë nga qytetet, fshatrat, vijnë nga sheshet, nga drita juaj, votëbesimi juaj.

Këta janë kandidatët e fitores.
Edi Rama, të garantoj se nga Dukagjini gjer në Velipojë, do marrësh atë që thua vetë, atë që meriton.
Të dashur miq, përballen në këtë fushatë dy morale, dy filozofi.

Përballen nga njëra anë morali i dhembshurisë njerëzore, i dashurisë së pakufishme për qytetarin, për Shkodrën, për Shqipërinë.

Përballet morali i mashtrimit, zinxhirit të pafundëm të mashtrimeve, plaçkitjes, vjedhjes, përzënies së shqiptarëve nga Shqipëria.
Por kësaj here, 11 maji është fundi i tyre.

Sot në postin e kryeministrit është një njeri që para shkodranëve, para shqiptarëve nuk thotë dot asnjë premtim, sepse ka mashtruar kaq shumë dhe nuk ka mbajtur asnjë premtim.

Por mos harroni një gjë, në klubin e të ligjve, më i ligu është gënjeshtari.

I tillë është kryeministri i Shqipërisë që tani nuk flet më për premtime se ka mashtruar për 12 vite.
Miqtë e mi, unë jam sot këtu për programin e Shqipërisë Madhështore.

Për shumë njerëz, madhështore mund të duket një ekzagjerim. Por unë u betohem ju që nuk është gjë tjetër veçse ëndrra e ditës e çdo shqiptari që e do Shqipërinë dhe është 100 përqind i realizueshëm.

Shqipëria Madhështore fillon me një Shkodër të jetueshme, ku qytetarët nuk numërojnë kafshatën, ku qytetarët nuk mbeten pa ilaçe, ku qytetarët nuk njohin më varfërinë ekstreme.

Me një Shkodër në të cilën pensionistët dhe rrogëtarët paguhen dhe do paguhen gjithnjë e më mirë.
Shqipëria Madhështore mund t’u duket ju çudi, por fillon me vendosjen e minimumit jetik për çdo shkodran dhe shqiptar.

Nuk do ketë më pensionistë me pension të pjesshëm apo të ulët, çdo pensionist do ketë minimumin 200 euro dhe mbi këtë do rritet pensioni 20 përqind.

Në këtë paketë të dhembshurisë, rrogat minimale bëhen 500 euro, rriten pra me 20 përqind dhe kjo brenda 100 ditëve të para.
Rrogat mesatare rriten me 1200 euro.
Në këtë paketë të dhembshurisë, të gjithë rrogëulëtit, të gjithë ata me minimum jetik do marrin kartën e konsumatorit. Do u kthehet e gjithë TVSH-ja.

Nuk është pak, është 2-3 pensione dhe ky është një lehtësim tjetër.
Energjia elektrike do zbresë në 7 lekë.

Nafta do shitet me çmimin që shitet në Kosovë dhe asnjë qindarkë më shumë.
Me të drejtë mund të thonë njerëzit, po ku do i merrni këto para? Do ua kthejmë ju paratë. Nuk do bëjmë asgjë tjetër miqtë e mi, vetëm ua kthejmë qytetarëve.

Po a mund të thotë, a ka pashpirtësi më të madhe që të thotë një kryeministër, që nëse i rris pensionet, Shqipëria merr fund.
Çfarë është kjo psikologji tirani i pashpirt?

Unë u them ju, paratë do ua kthejmë ju sepse nuk do vidhen 130 milionë euro për inceneratorin që nuk ekziston.
Paratë do ua kthejmë shqiptarëve rroga dhe pensione se nuk do ndërtohen rrugë me çmime 10 herë më të shtrenjta se në Kroaci dhe Europë.

Paratë do ua kthejmë qytetarëve shqiptarë nga taksat e tyre, rroga dhe pensione, sepse kryeministri nuk do udhëtojë me avion taksi 21 milionë euro në dy vite.

Paratë do ua kthejmë ju se nuk do vidhen 50 milionë euro në një dorë në tunelin e Llogarasë.
Paratë do ua kthejmë ju se nuk do shtrohen dreka dhe darka në kryeministri me shishe vere 36 mijë euro.

Paratë do ua kthejmë ju se nuk do ndërtohet kopshti i Edenit 5 milionë euro në oborrin e kryeministrisë.
Me këtë paketën e dhembshurisë, ne do u kthejmë shqiptarëve paratë që u takojnë. Janë taksat e tyre, duhet të kenë pjesën e tyre dhe do i kenë ato.