Shkodra padyshim që ishte dhe do të jetë kryefjalë e këtyre zgjedhjeve lokale për faktin se socialistët për herë të parë arritën që të mposhtin “kështjellën” blu të demokratëve dhe Sali Berishës në kryeqendrën e veriut. Analizat, opinionet dhe komentet janë të shumta për të zbërthyer faktorët që ndikuan.

A ishte meritë e kandidatit, përçarjes së rivalëve apo e strategjisë socialiste me faktorin lokal? Për t’iu afruar së vërtetës na ndihmon vota për parlamentin lokal.

Këshilli bashkiak tregon shumë në këtë rast. Referuar shifrave të publikuar nga KQZ deri mëngjesin e sotëm në Shkodër për këshillin janë numëruar 145 kuti nga 247.

Partia Socialiste kryeson me 18 mandate, e ndjekur nga koalicioni i Berishës me 13, PSD e Tom Doshit me 12 dhe PD-ja zyrtare e Enkelejd Alibeajt ka përfunduar me 5 mandate. Të paktën deri tani.

Nëse do të mbledhim mandatet e PS-së dhe PSD-së që koalicionin nuk e kanë vetëm në këshilla, por vota ka qenë e njëjtë edhe për kandidatin rezulton se shkojnë në 30 mandate duke zhytur demokratët me dhe pa vulë në 17 mandate.

Thuajse gjysëm për gjysëm. Fitorja u prodhua nga baza dhe faktorët lokalë. Shifrat janë kokëforta dhe tregojnë se në fakt në Shkodër fitoi Partia Socialiste, jo Benet Beci.