Një dosje hetimore që nisi fillimisht në muajin dhjetor 2019 për sekuestrimin në Shkodër të 93 gram cannabis çokollatë, solli një hetim paralel për akuzën e korrupsionit, kundër punonjësve të policisë Shkodër, Ardrit Hasanbegaj, Arjan Tases, Shpëtim Dushku dhe Ergys Lohja.

Gazetari i “Ora News” Elton Qyno, ka siguruar të plotë dosjen që u bë shkak më pas i inicimit nga Ardrit Hasanbegaj të një informacioni për korrupsion në SPAK, kundër prokurorit të Shkodrës, Astrit Halilaj. Polici Arjan Tase, sot ndodhet në burg pasi dy vite më parë vrau me gomone 7 vjeçaren, Jonada Avdiaj dhe aktualisht Tase është dënuar me 18 vite burgim.

Por Tase, gjatë periudhës kur ka shërbyer në Drejtorinë e Shkodrës është përfshirë në arrestimin e një kamarieri në lokalin “Zig-Zag”, i quajtur Solingen Levanaj.

Para arrestimit, i riu punonte me babain e tij në tregun e Dobraçit, duke shitur fruta-perime. Por në datën 25 dhjetor 2019 ai i tha babait, Besnikut, se nuk do e ndihmonte dot, pasi kishte zënë një punë të re. Solingen Levanaj, në 25 dhjetor fillon punë si kamarier në lokalin që ishte në pronësi të Endri Koka.

Ndërkohë tre ditë më pas, pas një aksioni blic nga policia e Shkodrës, në lokalin “Zig-Zag”, ku punonte si kamarier Levanaj, oficerët kanë sekuestruar 93 gramë cannabis çokollatë.

Nga oficerët e policisë Ardrit Hasanbegaj, Arjan Tase, Shpëtim Dushku dhe Ergys Lohja u ndalua kamarieri 21-vjeçar që kishte vetëm tre ditë punë në atë vend duke shmangur te dyshuarit e tjere.

Praktika policore e këtij arrestimi, shkoi për trajtim të mëtejshëm në prokurorinë e Shkodrës, ku në vitin 2020 kjo çështje filloi të ndiqej nga prokurori i Shkodrës, Astrit Halilaj, i cili veç hetimit për “Prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike” hapi një hetim paralel për korrupsion kundër punonjësve të policisë Ardrit Hasanbegaj, Arjan Tases, Shpëtim Dushku dhe Ergys Lohja. Shkak u be dyshimi për shmangien e përgjegjësve ndërsa ka qenë babai I të riut që ka bërë dhe deklarimet mbi situatën.

Halilaj në këtë hetim aktivizoi dhe SHÇBA-në Shkodër, duke i lënë detyra hetimore për të kryer ndaj punonjësve të policisë.

Në dijeni të dyshimeve për veprime për korrupsion të 4 punonjësve të policisë Halilaj, kishte hyrë gjatë marrjes në pyetje të babait të kamerierit të arrestuar, Solingen Levanaj, Besnik Levanaj, një tregtar i thjeshtë në tregun e futa-perimeve në Dobraç.

 “…nuk e di se në çfarë rrethanash, e ka marrë përsipër këtë gjë, por duhet të ketë qenë nën presion nga pronari i lokalit dhe personi që e ka shoqëruar Lulzim Toska, i cili është nga Bahçalleku, person të cilin unë e njoh, ka qenë në burg për shitje armësh dhe mesa di unë e mban si të punësuar pronari i lokalit Endri Koka…”-i ka thënë prokurorit Halilaj, Besnik Levanaj.

Besnik Levanaj, ishte tronditur shumë që djali i tij kishte përfunduar në burg për drogë dhe ditën e Vitit të Ri, në dhjetor 2019 ai ka shkuar të takojë të birin në burgun e Reçit, ku ai qëndronte i izoluar.

“…unë shkova tek Burgu i Reçit dhe e takova Solingenin dhe e pyeta si qëndronte kjo histori. Ai filloj të qajë dhe më tha se jam i pafajshëm dhe më tha se e kishte marrë në telefon pesë herë pronari Enri (Enri Koka), rreth orës 01:15, të datës 28 dhjetor 2019, por nuk ja kishte hapur telefonin. Më pas e kishte marrë menaxheri i lokalit, të cilin unë nuk e njoh dhe këtij i’a kishte hapur telefonin dhe i kishte thënë dil tek rruga se të kërkon pronari. Solingeni, kishte dalë nga banesa me rroba gjumi dhe kishte takuar para pallatit Enrin dhe Lulzim Toskën, të cilët kishin ardhur me një makinë. Pasi e kanë futur në makinë i kanë thënë se do të shkojmë deri tek policia për të s’qaruar një problem që lidhet me disa skedina. Pasi e kanë çuar deri para derës së Drejtorisë së Policisë, Enri ka marrë në telefon një punonjës policie të antidrogës, i cili kishte ardhur tek makina dhe e ka marrë në dorëzim Solingenin. Djali më tha se tentova të ulesha dhe dilja nga makina, por më bllokuan dyert, Enri me Lulzimin, derisa erdhën disa punonjës policie me rroba civile, të cilët e kanë marrë dhe e kanë futur brenda në polici. E pyeta djalin se përse ke bërë këto deklarime të pavërteta në polici dhe më tha se më bënë presion dhe firmosa çfarë deshën ata…”-ka treguar para prokurorit, Besnik Levanaj.

Pas rrëfimit të djalit babai ka shkuar në ambientet e lokalit dhe kakërkuar takim me pronarin e lokalit.

“…lokali ishte plotë dhe pyeta cili ishte pronari. U ngrit njëri prej tyre nga tavolina dhe më tha se unë jam pronari. Ishte një djalë i ri i shkurtër, pak esmer, rreth 35 vjeç, të cilit i mësova më pas emrin se quhej Enri Koka. Unë i kërkova shpjegime se si ishte puna e djalit që më kishin arrestuar. I thashë se si ke ardhë t’i në mes të natës dhe më ke marrë djalin në shtëpi, duke i thënë se djali është i pafajshëm dhe dua që siç ma keni marrë të ma ktheni djalin në shtëpi. Ai më tha se nuk i kam lejuar policinë që të vinë kontroll banese dhe me ngriti pretendimin se Solingeni e kishte prerë në besë. Në një moment Enri më tha se atë natë i kishte kërkuar policia 10 mijë euro, por ju kishte dhënë policëve vetëm 3500 euro, për të mbyllur këtë çështje…”- ka rëfyer në prokurori Besnik Levanaj.

Pikërisht në këtë moment prokurori Astrit Halilaj ka hapur hetim për korrupsion dhe falsifikim dokumentave apo procesverbaleve ndaj 4 punonjësve të policisë Ardrit Hasanbegaj, Arjan Tases, Shpëtim Dushku dhe Ergys Lohja. Në dosje thuhet se Procesverbali i arrestimit ishte firmosur nga Hasanbegaj dhe Arjan Tase, Shpëtim Dushku dhe Ergys Lohja. Ndërsa këta dy të fundit nuk kishin firmosur procesverbalin e kçyrjes së vendit të ngjarjes ku u gjet droga.

Të vënë në dijeni se prokurori Astrit Halilaj, kishte hapur hetim dhe kishte thirur për të marë në pyetje pikërisht Enri Kokën, dhe kërkuar shpjegim këtij të fundit për pagesën 3500 euro, grupi i policisë në Shkodër me në krye Ardrit Hasanbegaj, mblidhin informacion dhe dërgojnë një material korruptiv kundër Halilaj në prokurorinë e posaçme SPAK, duke relatuar se ai i ka marë 7 mijë euro një oficeri të kufirit në Shkodër.

Për këtë material vihet në dijeni dhe prokurori Xhevahir Lita, shok i Astritit, i cili shkon dhe takon Pëllumb Gjokën, për të ndërmjetësuar me Ardrit Hasanbegaj, në mënyrë që kjo çështje të mbyllej.

Pëllumb Gjoka, i shkruan në “Sky” Ardrit Hasanbegaj, duke i pohuar:

“…Si je vëlla? Po më pyet ky shoku im, a ke bërë ndonjë material për Astrit Halilin…? Ndërsa Ardrit Hasanbegaj ia kthen:”…hahaha, te SPAK-u i thuaj. Se nuk di të shkruaj vetëm Astriti, jemi dhe në shkrimtar vëlla…”.

Por personi që shkruan nga telefoni i Pëllumb Gjokës i thotë: ”…interesohu sa problem ka…”, ndërsa Hasanbegaj ia kthen: ”…më del garant, ti që nuk do kruhet me mua më, se ai nuk pyet për miqtë vëlla…Ai është i ndershëm, ne jemi hajdut…”.

“…Po pse e ve në dyshim për garancinë…”-i thotë personi tjetër.

“…Patjetër që po vëlla, ai e di që më ka rënë në qafë…Po pyes edhe kur të vij të takoj…”-i shkruan Hasanbegaj.

Por sërisht Hasanbegaj, ia kthen se prokurori Astrit Halilaj nuk e meriton këtë ndihmë për të mbyllur çështjen.

“…veç se ai se meriton, se nuk është burrë i mirë për atë zotë. Ai të ketë në dorë, të le fëmijët pa bukë…”-i shkruan Hasanbegaj.

Ndërsa personi tjetër i thotë: “…ok jam unë, por zere se është emri im… dhe me kthe përgjigje deri ku është problemi…Po sa kohë ka s’më the…?”.

Më tej komunikimi vijon mes Ardrit Hasanbegaj dhe biznesmenit Pëllumb Gjoka, ku pasi e informon për një person i thirur “Kusho” që i kishin ardhur letrat nga Mali i zi, Ardriti i thotë:

“…Ej po Astriti bën si burrë i mirë motër q***…”. Kurse Pëllumb Gjoka ia kthen:”…na ka thënë ky që e kam shok dhe do e mbylli unë, por unë i thashë nuk i kena thanë për ty… Ky shoku besoj do emërohet këto ditë aty…”.

Hasanbegaj ia kthen: “…Vëlla ai plehra, pa pasë gjë shtrëngon njerëzit do t’ju fus në burg po nuk më treguat sa lekë i keni dhënë filanit…Të s’qaroj nga afër,,,tani del ky garant se e ka mik mos kruhet kot me mua. Se gjë nuk ka dhe llomotit, se ai ka letra procedure ndërsa unë shkruaj dhe fjalët. Do t’ja pushojmë legenit, po të rijë ca netë pa gjumë, se i bën mirë kthjellohet…”.

Në 2020 prokurori Astrit Halilaj, preket nga virusi “Covid-19” dhe shtrohet në spital, duke lënë punën për disa muaj. Dosja hetimore e tij që nisi për korrupsion dhe falsifikim të dokumentave ndaj punonjësve të policisë, u mbyll nga prokuroria e Shkodrës.

Kjo prokurori çoi të pandehur në gjykatë Lulzim Toskën për “Prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike”. Ndërsa pronari i lokalit Endri Koka ku u kap droga u akuzua për “Moskallëzim krimi” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës” së bashku me Sali Jubanin dhe kamarierin Solingen Levanaj u akuzua për “Moskallëzim krimi”.

Në 2 nëntor 2021, Gjykata e Shkodrës dënoi me 3 vite e 8 muaj burgim Lulzim Toskën, 1 vit e 8 muaj burgim vendosi për Enri Kokën dhe Sali Jubanin dhe 1 vit e 4 muaj burg dha për Solingen Levanaj. Ky vendim u la në fuqi dhe në apelin e Shkodrës.

I kontaktuar në telefon prokurori Astrit Halilaj, tashmë i pezulluar nga “Vettingu”, deklaroi për “Ora Newas” se:

”…kjo dosje ishte interesante, por nuk arrita ti përfundoj unë hetimet pasi u infektova nga “Covidi” dhe u bëra keq me shëndet. Pasi mora një vit lejë pa pagesë nga KLP-ja, dosja i kalon një prokurori tjetër dhe ai i përfundoi hetimet. Unë kisha në plan ti merrja si persona nën hetim për korrupsion, të kërkoja masë sigurimi “arrest në burg”, të shpallja moskompetencën dhe ti kaloja aktet SPAK-ut…”.