Detaje të reja mësohen nga seanca gjyqësore për Arjan Tasen, për të cilin Gjykata e Vlorës vendosi masën e sigurisë të arrestit me burg, nën akuzën e vrasjes në rrethana indirekte, e cila parashikohet në nenin 76 të Kodit Penal.

Mësohet se Tase është shfaqur i tronditur në Gjykatë, ku mes të tjerave i ka kërkuar ndjesë familjes së të miturës, por edhe strukturës së policisë së shtetit, ku ishte edhe vetë pjesë.

“I kërkoj ndjesë familjes së të miturës për tragjedinë që iu kam shkaktuar. Nuk do të doja kurrësesi të kishte ndodhur ajo që ndodhi. Nuk dua të mbrohen dhe nuk do pretendoj asnjë rrethanë lehtësuese”, ka thënë Tase, ndërsa më tej ka kërkuar falje dje në drejtim të kolegëve.

“Dua tiu kërkoj ndjesë edhe të gjithë kolegëve të policisë së shtetit të prekur nga kjo situatë.  Nuk duhet të ndodhte kurrsesi, por fati im i keq”, është shprehur ish-shefi i komisariatit të Himarës.

Tase ka thënë më tej “në skaf kishte hipur vetëm nëna ime dhe djali im i vogël. Në det ishte gruaja me djalin e madh dhe motra më dy fëmijët. Nëse skafi do ishte rrotulluar në anën e kundërt do të kisha vrarë familjen time”. Mësohet se Tase nuk do të bëjë ankim ndaj masës së arrestit me burg.

Ndërkohë prokuroria ka paraqitur një video në cilësinë e provës materiale ku dallohet se mjeti lundrues ka dalë jashtë kontrollit. Akuza që është ngritur zyrtarisht ndaj Tases parashikon një dënim nga 10-15 vite burg.