
Banka Intesa SanPaolo përgatit “rrjepjen” e radhës ndaj klientëve? Mesazhi që morën këto ditë mbi komisionet
Klientët e Intesa Sanpaolo Bank janë njoftuar në rrugë elektronike se nga 1 Marsi 2023 do aplikohen për ta komisione të reja.
Habija qëndron te llojet e komisioneve që do aplikohen.

Siç mëson Gazeta Jonë për depozitime në llogari, apo tërheqje nga llogaritë e tyre, banka do aplikojë komisione të majme duke siguruar kështu nga vjedhja e qytetarëve, të ardhura të sigurta.
Njoftimi në rrugë elektronike ka qënë i thjeshtë, pa detaje, sa për të ‘larë gojën’, ndërsa drejtonte klientët në një link të fshehur në faqen e Intesa Sanpaolo Bank.
Vetëm në këtë link që duhet kërkuar me lupë në faqen e elektronike te kësaj banke, janë publikuar komisionet që për depozitime të shumave në llogari variojnë nga 250 në 750 lekë.
Për tërheqjet që bën klienti nga llogaria e tij rrjedhëse që supozohet të jetë e lirë për veprime pa asnjë penalitet, komisioni do variojë nga 150 lekë, në komision me përqindje 0,1% të shumës, pa kaluar kufirin maksimal të komisionit prej 2 000 lekë.
Ndërkohë që në përditshmëri qytetarët janë të detyruar që çdo transaksion financiar kryejnë përmes bankave, këto komisione abuzive do rëndojnë akoma më shumë xhepat e qytetarëve që nuk gjejnë më ku të ankohen.
Ky është rasti më i fundit që tregon se në Shqipëri bankat e nivelit të dytë po veprojnë sipas oreksit, ndërsa rregullatori e mbikëqyrësi- Banka e Shqipërisë është inekzistente kur qytetarët e bizneset vidhen kaq hapur. /GazetaJonë