Në verën e këtij viti, qeveria fitoi një gjyq në Gjykatën Ndërkombëtare të Arbitrazhit, me kompaninë koncesionare naftënxjerrë “Bankers”, e cila menaxhon vendburimin Patos – Marinzë. Koncesionari nuk donte t’i paguante shtetit tatim fitim, teksa fryu kostot e operimit dhe gjithmonë bilancet i nxirrte me humbje. Palët shkuan në Arbitrazh dhe, një nga të pakta vendime në favor të Shqipërisë, ende nuk po zbatohet. Arsyeja? Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore po operon me “hap breshke”, pasi vetëm në muajin dhjetor 2024 ka hapur një tender për të përkthyer vendimin e IÇ-së, Dhomës Ndërkombëtare të Tregtisë. Pra, do të duhen edhe disa javë që vendimi të përkthehet dhe më pas të “zbërthehet” nga specialistët e AKBN-së për mënyrën e përllogaritjes së kostove që duhet të paguajë Bankers. Veprime të ngadalta që ndoshta bëhen me dashje, me qëllim humbjen e vëmendjes dhe veprimet e koncesionarit për tënegociuar marrëveshjen.

“Me hap breshke”, qeveria bën tender përkthimi për

Faksimile: Tenderi i hapur nga AKBN-ja për të përkthyer vendimin e Arbitrazhit

Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore ka hapur ditët e fundit procedurën e prokurimit me vlerë të vogël. Objekti është “shërbim i përkthimit zyrtar me shkrim të dokumentave zyrtare- Vendim final i Gjykatës Ndërkombëtare të Arbitrazhit”, teksa procedura do të bëhet në datë 23 dhjetor. Në të njëjtin dokument, AKBN-ja kërkon që të realizohet përkthimi zyrtar me shkrim i dokumentit zyrtar “Vendim final i Gjykatës Ndërkombëtare të Arbitrazhit (IÇ – Dhoma Ndërkombëtare e Tregtisë), me palë paditëse shoqëria hidrokarbure ‘Bankers Petroleum Albania’ Ltd dhe palë e paditur Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, e përfaqësuar nga Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore”.

Sipas saj, vendimi gjyqësor që do të përkthehet përmban në total 352 faqe kompjuterike, teksa do të përkthehet nga anglisht në shqip. “Përkthyesi zyrtar të realizojë përkthimin zyrtar që konsiston në kalimin e kuptimit të vendimit gjyqësor, me shkrim, nga gjuha e burimit angleze, në gjuhën e synuar shqip, duke ruajtur plotësisht kuptimin e fjalisë dhe përmbajtjen e akteve të përkthyera. Përkthyesi zyrtar të realizojë përkthimin e saktë të vendimit gjyqësor nga gjuha e burimit anglisht në gjuhën e synuar shqip, të shoqëruar me vulën e përkthyesit zyrtar që ka kryer përkthimin, si dhe të dorëzoj gjithashtu edhe deklaratën e nënshkruar prej përkthyesit zyrtar të çertifikuar se e ka përkthyer atë me saktësi, me kujdesin e duhur dhe me përgjegjësi ligjore” thuhet në këtë dokument. Sipas AKBN-së, periudha e realizimit të shërbimit është brenda 10 ditëve nga nënshkrimi kontratës.

Vendimi i Arbitrazhit është i një rëndësie të veçantë, teksa AKBN-ja ka kërkon që përkthyesi të dorëzojë certifikatën e përkthyesit zyrtar, të lëshuar nga Ministri i Drejtësisë (për gjuhën angleze), si dhe të jetë i regjistruar në regjistrin elektronik të përkthyesve zyrtarë. Të ketë eksperienca të mëparshme profesionale të ngjashme në fushën e përkthimit me shkrim të dokumentave zyrtare nga gjuha angleze në gjuhën shqipe, të cilat të jenë realizuar gjatë 3 viteve të fundit nga data e shpalljes së njoftimit të kontratës dhe të jenë në një vlerë jo më të vogël se 180,000 lekë. Të ketë vlerësim pozitiv të përkthimit dhe vendbanimi të jetë në Tiranë.

“Me hap breshke”, qeveria bën tender përkthimi për

Faksimile: Njoftimi i kompanisë koncesionare “Bankers” pasi humbi gjyqin me AKBN-në

Në verën që sapo lamë pas, qeveria njoftoi se Shqipëria fitoi gjyqin në Arbitrazhin Ndërkombëtar me kompaninë Bankers Petroleum. Kompania kishte kërkuar në Arbitrazh që t’i njihen si shpenzime 236 milionë USD. Koncesionari kërkoi që t’i mbajë të gjitha shumat e gjeneruara nga prodhimi i fushës së Patos Marinzës me anë të procedurës së rikuperimit të kostove, teksa Arbitrazhi njoftoi se këto kosto janë refuzuar dhe deklaruar të parikuperueshme.

Kompania duhet të paguajë tatim mbi fitim për aktivitetin e saj, ku në hidrokarbure tatimi është 50 %. Mbi shumën 236 mln dollarë do të bëhet një verifikim se sa janë kosto reale dhe më pas do të nxirret detyrimi i kompanisë ndaj shtetit shqiptar.

Këto mosmarrëveshje kanë nisur në vitin 2011, kur AKBN-ja konstatoi se Bankers kishte fryrë shpenzimet e deklaruara për investimet që po bënte me qëllim që të dilte pa fitim dhe të shmangte tatimin. Bankers ka raportuar vetëm humbje në bilancet e saj, për të mos paguar tatim fitimin në buxhetin e shtetit shqiptar.

Marrëveshja koncesionare me kompaninë Bankers është lidhur në vitin 2004, me jetëgjatësi 25 vjeçare, teksa do të duhen edhe 5 vite që të përfundojë. Por, me këto “ritme” duket se do të përfundojë edhe afati dhe sërish “gjoba” është shumë e vështirë që të vilet, pasi palët mund të bëjnë ankimime për përkthimin, kërkesa civile, administrative, shkruan Voxnews.

Ndërkohë, pas njoftimit të ministrisë, reagoi edhe Bankers, e cila tha se kërkesa fillestare për arbitrazh e paraqitur në vitin 2015 kishte të bënte vetëm me kostot e naftës për vitin e auditimit 2011, por më vonë mosmarrëveshjes iu shtuan vite shtesë (2012-2017).

“Mospërshtatja më e madhe e kostove ndaj Bankers lidhej me veprimet e papërshtatshme të disa ish-punonjësve të Bankers që datonin para blerjes së kompanisë nga pronari aktual. Nga shuma totale e shpenzimeve të kontestuara nga AKBN që qeveria shqiptare ka raportuar janë deklaruar të parikuperueshme (236 milionë USD, që është një numër që është ende në shqyrtim nga Bankers), mbi 100 milionë USD që lidhen me sjelljen e atyre ish-punonjësve të Bankers”, thuhet në këtë reagim.