Një ndeshje që do të mbahet mend gjatë kjo për Barcelonën, pasi mposhtën Real Madrid-in me rezultatin 0-4 në “Santiago Bernabeu”. Siparin e golave për bleugranat e hapi Aubumaeyang. Sulmuesi shënoi në minutën e 29’, duke shfrytëzuar një pasim të mirë nga Dembele. Pas disa aksioneve të shpejta, do të ishte radha e Araujo për të shënuar golin e dytë.

Ai mposhti portierin Courtoins me një goditje të bukur me kokë. Pjesa e parë përfundoi me këtë rezultat, për t’ia lënë vendin të dytës që do të fliste sërish në favor të blaugranave. Djemtë e Xavit, shënuan me anë të Ferran Torres 2 minuta pas startimit të pjesës së dytë. Disa minuta më vonë, do të ishte radha sërish e Aubameyang, që mposhti për herë të kartërt për këtë sfidë portierin belg të Realit, me anë të një parabole. Edhe pse kishte aksione nga të dyja ekipet, shifrat nuk ndryshuan deri në fërshëllimën e fundit të arbitrit.

Me rezultatin e sotëm, Barcelona qëndron në vendin e 3-ë me 54 pikë, ndërsa madrilenët kanë hipotekuar kreun e tabelës, me 66 pikë, 9 më shumë nga rivali më i afërt.