“Vetting” ka kryer një investigim për problemet e shumta që hasin qytetarët shqiptarë për t’u përballur me sëmundjen e kancerit, ku zanafilla e problemit fillon me buxhetin për shëndetësinë.
Disa ditë para miratimit të buxhetit 2024, ministrja e sapoemëruar e Shëndetësisë, Albana Koçiu, deklaroi përpara deputetëve se buxheti për shëndetësinë ishte më i madhi i miratuar nga qeveria shqiptare. Në Nëntor 2023, ku parlamenti ishte mes flakëve dhe tymit, buxheti kaloi për 4 minuta dhe askush nuk diskutoi konkretisht se si do të ndaheshin paratë.
“Aktualisht në 2024 llogaritet vetëm buxheti që shkon për Shëndetësinë sepse Ministria në vetvete ka brenda edhe mirëqënien sociale dhe buxheti realisht shkon rreth 90 e ca miliardë ose 900 e ca milionë euro. Por Buxheti që shkon për shëndetësinë, atë që ne njohim së Shëndetësi në tërësi është vetëm 2.8% e GDP-së. Është pak a shumë një shifër relativisht e ngjashme pak a shumë me atë të 10 viteve më parë. Praktikisht aspekti i parë është që jemi shumë larg premtimeve që ne do bëjmë, dmth buxheti i Shëndetësisë do shkojë 5% e GDP, do shkojë njësoj si vendet e rajonit”, shprehet eksperti i ekonomisë, Klodian Muço.
Ndërkohë, në fillim të vitit 2024, Organizata Botërore e Shëndetësisë publikoi të dhënat mbi shpenzimet e shëndetit në nivel global. Në këtë renditje, Shqipëria është e para në rajon për nivelin e lartë që qytetarët shpenzojnë nga xhepi i tyre për shëndetin.
Pra, jo rrallë herë, nëse një qytetar shqiptar ka probleme shëndetësore, zgjidhja e vetme është xhepi i tij, ose shtimi i borxheve e kredive, pasi qeveria shqiptare nuk investon sa duhet në këtë sektor.
“Asnjë qytetar nuk ka marrë nga paratë publike për t’u kuruar, por ka pasur donacione, mbledhje të ndershme nga vet qytetarët ose ka marrë kredi dhe këto format e tjera të ndihmës ekonomike”, shprehet Rigels Xhemollari.
Edhe pse Ministria e Shëndetësisë trumbeton rritjen e buxhetit, situata është e përmbysur. Ky fakt konfirmohet edhe nga të dhënat e Spitalit të Onkologjikut, të cilat janë audituar nga Kontrolli i Lartë i Shtetit.
“Konstatohet se shpenzimet për trajtimin e sëmundjeve tumorale zënë një peshë të vogël në shpenzimet buxhetore që kryen QSUT “Nënë Tereza”. Gjithashtu duhet vënë në dukje se, shpenzimet buxhetore nuk kanë ndjekur prirje të rritjes së tyre krahasuar me buxhetin e përgjithshëm të QSUT-së ndër vitet në auditim, por përkundrazi kemi një rënie të konsiderueshme nga 17,7 % në 7, 9% në vitin 2022, ndërkohë që numri i pacientëve të diagnostikuar dhe trajtuar me sëmundje tumorale është në rritje”, shkruhet në raportin e KLSH-së për vitet 2020-2022.
Pra, nëse në Shqipëri vijon të rritet numri i personave me sëmundje tumorale, QSUT ka ulur shpenzimet për sigurimin e barnave dhe kimioterapive për pacientët që përballen me një nga sëmundjet më të rrezikshme të shekullit.
“Ajo që është vënë re kohët e fundit, është parë që sëmundja tumorale është gjithmonë në rritje, përveçse është në rritje ka edhe një predonim të numrit të rasteve në moshat e reja, duke iu referuar faktorëve të sëmundjeve, të cilët ndahen në faktorë të jashtëm dhe të brendshëm”, shprehet mjekja onkologe Alketa Pera.
Ndërkohë, raporti i Kontrollit të Lartë të Shtetit për periudhën 2020-2022, në repartin Onkologjik, ka ngritur alarmin për fondet anemike në këtë sektor, të cilat janë të pamjaftueshme për luftën kundra kancerit.
Historia e barnave që mungojnë
Mungesën e barnave të kimioterapisë nuk e kanë denoncuar vetëm familjarët e pacientëve, por edhe mjekët që kanë qenë pjesë e sistemit shëndetësor.
“Mungon në QSUT preparati Velcade (Bortezomib) i cili përdoret për trajtimin e shumë tumoreve, përfshi mielomën multiple. 600 euro i kushton një flakon qytetarit, ose 3,600 euro për cikël”, do të shkruante eksperti i shëndetit publik, Erion Dasho nga platforma e tij sociale.
Denoncimi i mjekut ka ndodhur në 11 korrik të vitit të kaluar, duke sjellë dhe interesimin e “Vetting” pranë QSUT. Zyra e transparencës në QSUT deklaroi se në spital gjendej medikamenti për kimioterapinë dhe kontrata për furnizimin e radhës ishte firmosur në 20 korrik 2023, nëntë ditë pas apelit nga mjeku i njohur.
Për “Vetting”, QSUT sqaroi se pas nevojës së shtuar të këtij medikamenti, janë marrë masat për të garantuar furnizimin. Megjithatë për periudhën nga 11 korrik 2023 deri në firmosjen e kontratës, pacientët duhet të gjenin forma alternative për të siguruar barin. Edhe pse kontrata u firmos në 20 korrik, burime konfidenciale për gazetarët deklaruan se pas firmosjes së kontratës, pacientët duhet të prisnin furnizimin.
Historia me mungesën e barnës së kimioterapisë daton, në fakt, më herët, pasi shpeshherë, familjarë të pacientëve dhe organizatat jofitimprurëse kanë denoncuar mungesën e ilaçit Velcade (Bortezomib).
“Çfarë ndodh brenda Qendrës Spitalore Universitare me ilaçet? Nga informacionet që unë kam, ka barna të cilat janë të shtrenjta, si rasti i barit velcade, Cytoxan e me radhë, të cilat marrin të sëmurët me kimioterapi, të cilat u mohohen një pjese të pacientëve, për të cilat çdo ditë qytetarët bëjnë luftë për ti marrë në doza të sakta, për të cilat qytetarët njëherë e marrin e njëherë s’e marrin”, tregon Xhemollari nga “Qëndresa Qytetare”.
Por kush janë kompanitë që duhet të sigurojnë medikamentin?
Në 27 qershor 2022, brenda 24 orëve, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale do të shpallte fituesit për disa tendera, ku midis tyre edhe Marrëveshja Kuadër për barin Velcade (Bortezomib). Po në këtë datë, bashkimi i kompanive “DELTA PHARMA-AL”, “MEGAPHARMA” dhe “T R I M E D” shpk do të ishin pjesë e garës për lotin 3, (Bortezimob) me fond limit rreth 1 milion euro. Në këtë tender merrnin pjesë vetëm këto kompani, të cilat u shpallën automatikisht fituese me ofertë 105 milionë lekë, sa 99,9% e fondit limit.
Sipas informacioneve nga Agjencia e Prokurimeve Publike, “Vetting” ka zbuluar parregullsi me këtë kontratë.
Duke shfletuar më mijëra faqe nga buletinet e Agjencisë së Prokurimit Publik, “Vetting” nuk arriti të gjente publikimin e lidhjes së parë të kësaj kontrate. Nga kërkimet investigative rezultoi se tre kompanitë, që kanë fituar tenderin kanë firmosur disa minikontrata.
Minikontrata e parë me nr. 1945/163 Prot. është firmosur në datë 13.09.2022. Sipas vendimit të miratuar nga Këshilli i Ministrave, për minikontratën e parë kërkohet publikimi i njoftimit për lidhjen e saj te Agjencia e Prokurimit Publik brenda muajit janar të vitit pasardhës, në rastin konkret në janar 2023.
“Vetting” kontaktoi përsëri Agjencinë e Prokurimeve, pasi të dhënat për minikontratën e parë nuk gjendeshin tek buletinet. Sipas Agjencisë, nga verifikimet e kryera në Sistemin e Prokurimit Elektronik, rezulton se Autoriteti Kontraktor (QSUT), nuk e ka ngarkuar në Sistemin e Prokurimit Elektronik njoftimin për lidhjen e minikontratës së parë për rastin në fjalë. Por veprimet e institucionit bien në kundërshtim me VKM Nr. 285/2021.
Ndërkohë, në prill të vitit 2021, organizata jofitimprurëse “Together for Life” paraqiti një ankesë tek Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi për mungesën e barnave për pacientët me sëmundje tumorale. Në raportin e mbajtur nga Komisioneri Robert Gajda do të konfirmohej mungesa e shumicës së medikamenteve për kimioterapi.
“Në lidhje me barnat, Metroteksat, Acid Folinic (Leucovorin) dhe Mercaptopurina, bazuar në informacionin dhe aktet e administruara gjatë shqyrtimit të ankesës, rezultoi e provuar se, gjatë vitit 2020-2021, këto barna kanë qenë në mungesë”, deklaronte Komisioneri Gajda duke nxjerrë në pah edhe shkaqet e këtyre mungesave, që ngarkonin me përgjegjësi Ministrinë e Shëndetësisë dhe QSUT-në.
/Emisioni Vetting