Gabriel Escobar, i dërguari i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor vizitoi Shqipërinë dhe u takua edhe me liderët kryesorë, presidentin Begaj, kryeministrin Rama, kryetarin e PD-së Alibeaj dhe kryetarin e PL Ilir Meta.

Më pas ai ka dhënë një intervistë për Top Channel në emisionin Top Story. Zoti Escobar foli për arsyet e vizitës së tij në Shqipëri.

Zv/Ndihmës Sekretari Escobar: Vizita ime këtu nuk është absolutisht e lidhur me zgjedhjet lokale. Është pjesë e konsultimeve të rregullta që kemi me aleatët e ngushtë. Dhe Shqipëria është një aleate e ngushtë. Më duhet të them se për sa i përket çështjes Kosovë-Serbi, ajo që kemi në këtë Marrëveshje të re të Normalizimit është një marrëveshje historike për marrëdhënie miqësore, konstruktive mes dy partnerëve që nuk kanë pasur shumë besim. Ajo marrëveshje, e cila u bë e mundur nga Bashkimi Europian, e mbështetur nga Shtetet e Bashkuara, u mbështet pothuajse në çdo aspekt nga vendet e rajonit. Negociatat u zhvilluan në Maqedoninë e Veriut dhe nuk do të kishte ndodhur pa mbështetjen e tyre. Por ajo u mbështet edhe nga qeveritë e Shqipërisë dhe Kroacisë dhe të tjerë në rajon. Dhe ne shohim një rol shumë të rëndësishëm për Shqipërinë në stabilitetin rajonal. Dhe kjo është e vërtetuar.

Escobar foli për marrëdhëniet mes dy vendeve duke thënë se amerikanët janë vendi më pro shqiptar në botë  dhe u shpreh mbështetës ndaj nismës së Ballkanit të Hapur dhe pro integrimit europian të Shqipërisë.

Tema e ditës aktualisht, zgjedhjet lokale ishin në fokus të intervistës që zoti Escobar dha për Top Channel.

Zv/Ndihmës Sekretari Escobar: Shiko, unë mendoj se të gjitha partitë politike kanë një detyrim ndaj njerëzve që të sigurohen që kandidatët të mos jenë të korruptuar, që ata të kenë në zemër interesat e njerëzve. Ne nuk jemi në gjendje të zgjedhim kandidatë apo anëtarë të partive politike. Marrëdhënia jonë me Shqipërinë është me popullin e Shqipërisë, jo me një parti dhe jo me një person. Pra, në këtë drejtim, kur pyet nëse do të ketë një reagim nga Shtetet e Bashkuara nëse partitë nuk janë të pastra, nëse kandidatët nuk i përmbushin standardet më të larta të antikorrupsionit dhe të gjitha standardet e tjera demokratike, reagimi duhet të vijë nga njerëzit, jo nga Shtetet e Bashkuara. Kjo është një punë për popullin e Shqipërisë, jo për Shtetet e Bashkuara.

Ndërkohë që në fushën e betejës së garës elektorale ka dalë Sali Berisha, Shtetet e Bashkuara të Amerikës e cilësojnë atë si përfaqësues të së shkuarës. Zoti Escobar përjashtoi çdo mundësi që të rishikohet statusi ‘non grata’ për Berishën.