
Pas largimit të Lulzim Bashës nga posti i kryetarit të PD-së dhe statutit të ri të miratuar nga Komisioni i Rithemelimit, Sali Berisha shprehet se tashmë në Partinë Demokratike ka marrë fund kryetarokracia.
I ftuar në emisionin “Open”, ish-kryeministri theksoi se Basha ishte i ndikuar nga Rama dhe ambasadorja Yuri Kim. Ai këtu përmendi komisionin hetimor për zgjedhjet, ku kujtoi edhe vrasjen e Pjerin Xhuvanit në Elbasan.
“U vra një mjek në Elbasan, një mjek i nderuar. U vra në proces elektoral. Basha deklaroi se u bë një masakër elektorale. U krijua një komision hetimor parlamentar, ku dy ishin kryesorët, Taulant Balla dhe Gaz Bardhi. Pse u ndërpre ky komision? Pengmarrja. E morën peng ata që ishin të implikuar”, tha Berisha.