Në 12 nëntor opozita do të zhvillojë protestën kombëtare kundër qeverisë Rama. Partia Demokratike dhe Partia e Lirisë caktuan sot datën. Sali Berisha dhe Ilir Meta zhvilluan një takim në mëngjes në selinë e PD-së. Ilir Meta më pas njoftoi arritjen e paktit, ndërsa Sali Berisha komunikoi datën e tubimit.

Jam sot për të informuar opinionin publik shqiptar në Shqipëri dhe kudo që ndodhet se opozita shqiptare, PD, PL dhe forcat e tjera opozitare nisin më datën 12 nëntor betejën e madhe kundër regjimit të urryer, regjimit të narkoshtetit të parë dhe të vetëm në Europë, regjimit të partisë shtet, regjimit të Edi Ramës.

Në të katër anët e Shqipërisë po bien sirenat e urrejtjes ndaj monizmit të Edi Ramës. Në të katër anët e Shqipërisë po bien sirenat e alarmit ndaj gjendjes katastrofale të krijuar nga vjedhjet e mëdha dhe të papërmbajtura të fondeve buxhetore, pasurive publike, të qytetarëve shqiptarë“, tha Berisha.

Nesër, tha më tej Sali Berisha do të firmosë zyrtarisht marrëveshjen me Ilir Metën. “Sot patëm një takim shumë të mirë me zotin Meta dhe Vasili. Nesër do t’ju informojmë ju me rezultatet e këtij takimi. Tani gjithçka do të jetë në funksion të betejës së madhe. Protestës së 12 nëntorit” deklaroi ai.