Një kullë 16 katëshe do të ngrihet pas shkollës “Emin Duraku” në Tiranë, duke shtuar një tjetër strukturë shumëkatëshe në zonën e mbipopulluar të ish-Bllokut.

Projekti, i cili parashikon rreth 10 mijë metra katrorë ndërtim, pritet të ndërtohet nga “A&E Development,” një kompani e themeluar në vitin 2023 nga Fatjon Alliu në ortakëri me Gentian Parrucën, ky i fundit aksioner i studios së arkitekturës Focus Architecture, e cila ka konceptuar idenë.

“A&E Development” mori lejen e ndërtimit më 29 maj 2024 nga Këshilli Kombëtar i Territorit (KKT). Ajo shfrytëzon 980 metra katrorë truall, që aktualisht përdoret si parking privat mes pallateve pas shkollës 9-vjeçare “Emin Duraku”.

Lexo më shumë rreth serisë “Tirana Vertikale” që shpjegon ndërtimet në kryeqytet.

Citizens.al/Projekti i kullës nga “A&E Development.”

Koncepti i projektit parashikon një ndërtesë të lartë me arkitekturë moderne, me ballkone dhe vetrata të shoqëruara me gjelbërim vertikal. Edhe pse vetëm 380 metra katrorë të truallit do të zihet nga gjurma e ndërtesës së re, fakti që mbi të do të ngrihet një strukturë 57.24 metra e lartë ngushton edhe më shumë hapësirat.

Zhvillimi i këtij projekti vjen në një kohë kur zona e ish-Bllokut, një nga lagjet më ekskluzive të Tiranës, po përjeton një transformim dramatik. Shkolla 9-vjeçare, e cila u rindërtua së fundmi, rrezikon të rrethohet nga pallate dhe ndërtesa të larta, duke e zhvendosur identitetin e saj fillestar mes godinave të reja.

Transformimi i zonës

Historikisht, plani urbanistik i Tiranës ka përcaktuar rregulla të qarta për lartësinë dhe dendësinë e ndërtimeve. Por në ish-Bllok, ku vlera e pasurive të patundshme ka qenë gjithmonë e më shumë në rritje, këto rregulla janë anashkaluar duke futur në lojë KKT-në, pra qeverinë.

Citizens.al/Planvendosja e kullës nga “A&E Development.”

Ish-Blloku shtrihet në rreth 50 hektarë truall. Plani urbanistik i Bashkisë Tiranë e ndan në 30 njësi strukturore, duke përfshirë rreth 340 ndërtesa. Mes tyre, 20 janë të përcaktuara si objekte me rëndësi të veçantë dhe 15 “Monument Kulture”. Sipas këtij plani, ndërtesat në ish-Bllok duhej të kishin një lartësi nga 5 deri në 9 kate, me destinacion kryesisht banimin, si dhe një koeficient shfrytëzimi të tokës prej 45%.

Por realiteti ka devijuar ndjeshëm nga këto standarde. Nga 30 njësitë strukturore, vetëm 3 prej tyre kanë plane të detajuara vendore. Pjesa tjetër ka pësuar ndryshime të thella përmes miratimeve nga KKT, shpesh në kundërshtim me idenë e përgjithshme të zhvillimit parashikuar nga plani vendor.

Deri tani, janë miratuar 12 projekte me intensitet të lartë ndërtimi, duke e kthyer përjashtimin në normë. Në të njëjtën kohë, veprimet e KKT-së dhe mungesa e një reagimi nga Bashkia Tiranë kanë lehtësuar thellimin e ndikimeve që këto zhvillime sjellin në infrastrukturën e qytetit dhe cilësinë e jetës së qytetarëve.

Zhvillimi urban ka sjellë ndryshime të paprecedenta në ish-Bllok, duke ngritur pyetje mbi vizionin afatgjatë të qytetit dhe përpjekjet për ruajtjen e trashëgimisë kulturore e historike të Tiranës./citi