Komunizmi ka ikur vetëm si sistem, pasi fëmijët e udhëheqësve të asaj kohe vazhdojnë ende të na qeverisë edhe sot.
Ditën e djeshme, Albana Fico u largua nga drejtimi i Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë, post të cilët cilin e mbante që prej dhjetorit të vitit 2021, kur në atë kohë u largua Enkelejd Joti. Gjatë kësaj kohe, ajo është shoqëruar me akuza të shpeshta nga opozita në lidhje me drejtimin dhe tenderat abuzues të QSUT-së, teksa u largua pas skandalit me zjarrin që përfshiu katin e parë të Urgjencës së këtij spitali, në orët e para të mëngjesit të 11 shkurtit.
Pas largimit të Ficos, ministrja e Shëndetësisë Albana Koçiu emëroi në krye të QSUT-së Alma Cani, e cila mbante postin e nëndrejtoreshës tek spitali “Shefqet Ndroqi”. Cani u prezantua ditën e djeshme nga ministrja Koçiu para stafit.
“Lirimi i Albana Ficos nga detyra nuk ka lidhje me urgjencën. Sjellim energji të reja për projektet në vazhdim. Drejtorja e re e QSUT në rend të parë do të ketë vënien në funksion të plotë të urgjencës së sëmundjeve të brendshme”, tha ministrja Koçiu në një prononcim për mediat.
Por kush është Alma Cani?
Alma Cani, një emër jo shumë i lakuar në media që iu dha një post i rëndësishëm nga Qeveria Rama. Ajo është vajza e ish-ministres së Arsimit në kohën e Enver Hoxhës, Tefta Cami (Cani).
Kjo e fundit ka mbajtur poste drejtuese gjatë kohës së komunizmit si sekretare e Komitetit të Partisë në Dibër, sekretare e Parë e Komitetit të Partisë të rajonit Nr.1 në Tiranë dhe gjatë viteve 1976-1987 ka mbajtur postin e ministres së Arsimit dhe e Kulturës të R.P.S.Sh.
Pas largimit nga posti i ministres, deri në rrëzimin e komunizmit në vitin 1991, Tefta Cami (Cani) ka mbajtur postin e drejtoreshës së Shkollës së Lartë të Partisë “V.I.Lenin”.
Tefta Cami gjatë karrierës së saj u shqua për luftën që i bëri deri tek vetë Enver Hoxha, bashkëpatriotit nga Dibra, Haxhi Lleshi. Në historinë e Shqipërisë, Tefta njihet si ministrja që nuk la letër pa shkruar e njohje pa shfrytëzuar kundër Haxhi Lleshit.
Gjatë muajit tetor të vitit të kaluar, Tefta Cami u shfaq në një intervistë televizive në emisionin “E diell” ku fliste me nostalgji për komunizmin, një kohë që shqiptarët po mundohen ta harrojnë. Pak muaj më vonë, vajzës së saj, i jepet një post mjaft i lakmuar nga shumë të tjerë.
Pra, në drejtimin e QSUT-së vjen vajza e një ish-udhëheqëse së lartë në kohën e komunizmit, me aspirata që më pas të bëhet edhe ministre, për të arritur në nivelet e nënës së saj.
Kryeministri Edi Rama, në të ashtuquajturën “Rilindje”, një mision po e përmbush me sukses. Për të rilindur një e nga një bijtë e etërve.