Detaje nga arrestimi i grupit që trafikonte armë nga Shkodra në Tiranë, nga ku u arrestuan, mes tyre, edhe efektivja e Policisë së Burgjeve, Denisa Halilaj, 22 vjeçe.

Ata janë arrestuar në flagrancë teksa po trafikonin 9 armë drejt Tiranës, me qëllim shitjen e tyre tek grupet kriminale.

Grupi prej 5 personave i kishte siguruar armët në Shkodër dhe mbrëmjen e kaluar kanë qenë duke kryer trafikun. 4 automatikë dhe 5 pushkë i kishin fshehur brenda një valixheje në bagazhin e makinës. Më ndërhyrjen e policisë, ata janë kapur në një parking në rrugën e Rinasit.

Trafiqet e Tiranës kishin marrë informacion për grupin kriminal që do të vinte nga Shkodra për të shitur armët në Tiranë.

Fill pas kësaj organizuan operacionin për kapjen e tyre në kushtet e flagrancës. 5 personat e arrestuar po lëviznin me dy mjete.

Në të parin ishin dy person që kishin rol këqyrjen e rrugës dhe lëvizje të patrullave të policisë. Në mjetin e dytë ishin 3 persona të tjerë, në bagazhin e të cilit u gjetën dhe sekuestruan 9 armët.

Armët vinin nga zona veriore të Shkodrës dhe ishin destinuar të shiteshin te grupet kriminale me bazë në Tiranë.

Në pranga kanë rënë Sabian Hasaj, Redi Nika, Denis Hasaj, Denisa Halilaj, Mirjan Hasaj.