Hetimi i prokurorisë kundër ish-zëvendëskryeministrit Arben Ahmetaj ka zbuluar prona dhe investime të padeklaruara të tij në dy dekada si dhe pagesa të tërthorta të marra nga biznesmenët e incineratorëve me vlerë 491 mijë euro si dhe një vilë në Hamallaj.
Prokuroria bën të ditur se ka identifikuar gjithashtu një vilë në Green Coast në Palasë, të cilën dyshohet se Ahmetaj e ka përfituar në mënyrë të tërthortë nga biznesmeni Mond Begaj.
Korrupsion në gjashtë raste
BIRN siguroi një kopje të kërkesës së SPAK drejtuar Kuvendit të Shqipërisë për heqjen e imunitetit parlamentar të Ahmetajt, me qëllim kontrollin e banesës dhe arrestimin e tij. Kuvendi pritet të vendosë brenda ditëve të ardhshme.
Kërkesa paraqet në mënyrë të përmbledhur faktet e grumbulluara nga hetimi i prokurorisë, në të cilin, Ahmetaj akuzohet se ka përfituar korrupsion në gjashtë raste si dhe është angazhuar në pastrim parash në më shumë se një rast.
Sipas prokurorisë, Ahmetaj ka përfituar pagesa të ndryshme nga Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri përmes shitjes fiktive të pronave të patundshme si dhe përmes shlyerjes së faturave të punimeve të bëra në një apartament nën pronësinë e Ahmetajt.
Në një rast, Ahmetaj dhe ish-bashkëshortja e tij, Albina Mançka akuzohen se kanë përfituar 170 mijë euro pagesë për shitjen e dy apartamenteve në zonën e Selitës, përmes dy personave të tjerë, në një kohë kur paratë në instancë finale janë paguar nga Mirel Mërtiri dhe Klodian Zoto, dy biznesmenët aktualisht në arrati.
Edhe dy apartamente të tjera dyshohet se janë shitur në mënyrë fiktive për të justifikuar pagesat e 130 mijë eurove dhe 140 mijë eurove për Ahmetajn, ndërsa Mërtiri dhe Zoto vërehet se kanë përdorur në çdo rast kompani dhe shtetas të tjerë për të fshehur origjinën e parave. Zoto raportohet se i ka dhënë bashkëjetueses së Ahmetajt një vilë në Hamallaj me sipërfaqe ndërtimit 98 metra dhe me afro 500 metra truall, përmes palëve të treta.
SPAK e vlerëson këtë pronë në vlerën e 137 mijë eurove, pa përfshirë arredimin.
Ahmetaj rezulton përfitues i pagesave për udhëtime, të kryera nga Zoto e Mërtiri, me vlerë totale 34 mijë euro ndërsa në vitet 2019 dhe 2020, të dy kanë paguar faturat me vlerë 2 milionë lekë për punime në një apartament në Tiranë nën pronësinë e Ahmetajt.
“…vlerësohet se janë përfitime të parregullta, të dhëna personit nën hetim Arben Ahmetaj, në mënyrë të drejtëpërdrejtë ose të tërthortë, me qëllim kryerjen ose moskryerjen e veprimeve që lidhen me detyrën dhe funksionin e tij, sjellje kjo e personit nën hetim që i ka mundësuar shtetasve Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiti dhe subjekteve tregtare të regjistruara në emër të tyre apo të afërmve të tyre apo të kontrolluara prej tyre, lidhjen e kontratave, në lidhje me kuadrin e procedurave koncesionare të nisura nga Autoriteti Kontraktor, Ministria e Mjedisit,” shkruhet në kërkesën e prokurorisë, drejtuar Kuvendit.
Prokuroria nuk ka ngritur akuzë për shpërdorim detyre ndaj Ahmetajt, i cili ka pasur rol indirekt në procedurat e koncesioneve të incineratorëve, por ka renditur një numër faktesh që tregojnë se ai ka qenë veçanërisht i interesuar që procedurat të kryhen me sukses.
“…ekziston dyshimi i arsyeshëm i mbështetur në prova, se është shpërblyer për çdo miratim të dhënë prej tij,” shkruhet në kërkesë, ku raportohet mes të tjerash se ish-ministri i Financave Shkëlqim Cani ka rezistuar ndaj kërkesës për koncesion para se të shkarkohej nga Edi Rama për t’u zëvendësuar me Arben Ahmetajn.
Kërkesa veçon si argument për këtë interesim të Ahmetajt edhe një dëshmi të dhënë nga një zyrtare publike, e cila thotë se është thirrur në zyrë nga Arben Ahmetaj, pavarësisht se nuk ishte nën varësinë e tij direkte, dhe i është komunikuar dëshira e ministrit për të çuar procedurat e koncesionit me sukses.
Zyrtarja – pjesë e procedurave – ka deklaruar në prokurori se është ndjerë nën presion nga porosia e tij. Dëshmia e saj është marrë nga prokuroria më datë 7 korrik, e njëjta ditë kur SPAK dorëzoi në Kuvend kërkesën për arrestimin e Ahmetajt.
Ahmetaj është deklaruar më herët i pafajshëm ndaj akuzave. Ai nuk ka bërë komente publike pas lajmit të kërkesës së SPAK në Kuvend.
Këshilli i Legjislacionit dhe Imuniteteve në Kuvendin e Shqipërisë pritet të shqyrtojë kërkesën e prokurorisë të martën, ndërsa Kuvendi i Shqipërisë pritet të votojë në seancë plenare.
Shumica socialiste ka zbatuar standarde të ndryshme ndaj kërkesave të ngjashme të prokurorisë për arrestime deputetësh. Në rastin e kërkesës për arrestimin e Sajmir Tahirit, ajo votoi për të mos e lejuar ndërsa në raste të tjera, ka votuar për ta lejuar.
Afera e incineratorëve i ka kushtuar shqiptarëve deri më tani mbi 100 milionë euro ndërsa projekti më i madh, ai i Tiranës, vijon të jetë në zbatim dhe të përfitojë miliona euro çdo muaj, pavarësissht se në mënyrë të dukshme, investimet e kontraktuara nuk janë kryer.
Më herët ishte ish-Ministri i Mjedisit Lefter Koka personi që u arrestua nën akuzën se ka përfituar disa milionë euro nga biznesmenët e incineratorëve.
Deklarim i rremë i pasurisë
Ahmetaj, i cili ka nisur karrierë si zyrtar publik në tatime para se të bëhej zëvendësministër, ministër dhe zëvendëskryeministër, ka një pasuri të deklaruar prej rreth 3 milionë eurosh. Por në rastin konkret, ai duket se do të duhet të japë llogari, jo vetëm për paratë që dyshohet se ka përfituar nga biznesmenët e incineratorëve, por edhe për një pjesë të pasurisë së krijuar vite më parë.
Prokuroria ka zbuluar fakte që sugjerojnë deklarim të rremë të kryera përgjatë shumë viteve, përfshirë deklarimin e pasurisë së investuar për ndërtimin e një pallati në zonën e Shallvareve në Tiranë. Sipas prokurorisë, Ahmetaj dhe bashkëshortja kanë deklaruar se kanë marrë një kredi për të paguar investimin, por kredia është marrë në vitin 2016 ndërsa investimi rezulton të jetë kryer në vitet 2004-2006. Ai akuzohet gjithashtu se nuk ka deklaruar në deklaratat periodike të pasurisë shpenzime për rikonstruksionin e një apartamenti, të cilat i janë paguar pjesërisht nga biznesmenët e incineratorëve.
Vila në Palasë
Prokuroria nuk shpjegon lidhjen mes Begajt dhe Ahmetajt dhe e klasifikon përfitimin e vilës në Palasë si pasuri të padeklaruar dhe jo si korrupsion. Begaj është një personazh i dënuar më parë, i njohur për lidhje miqësore me ministrin e sapoemëruar të Brendshëm, Taulant Balla. Bega është dënuar në Itali me fillimisht me mbi 24 vjet heqje lirie në vitin 2007 me emrin Manoli Bega, por ka arritur të përfitojë ulje të vazhdueshme, duke u dënuar në përfundim me 11 vjet. Gjykata e Lartë në Shqipëri e konvertoi këtë dënim në vitin 2009 me pak më shumë se katër vjet.
“…nga të dhënat e administruara përgjatë këtij hetimi, ekziston dyshimi i arsyeshëm, i mbështetur në prova, se shtetasit Albina Mançka dhe Arben Ahmetaj kanë porositur dhe fituar pronësinë që në vitin 2019, të një vile të identifikuar si vila me nr. 73, ndodhur në Green Coast, Palasë, e porositur me kontratë sipërmarrje nga shoqëria Inerte Express sh.p.k., me ortak shtetasin Mond Bega, kaluar në vijim, me qëllim fshehjes së pronarit të vërtetë, shtetases Elda Dinaj, mikeshë e ngushtë e shtetases Albina Mançka,” shkruhet në kërkesën e prokurorisë. Sipas kërkesës, vila duket se është pronë e fshehtë e të dyshuarit dhe është përfituar me të ardhura që nuk mund të justifikohen me burime të ligjshme.
Partia Demokratike e akuzoi Ahmetajn në vitin 2018 se ka favorizuar Begon për privatizimin e një sipërfaqeje tokë shtetërore në Tiranë. Ahmetaj i hodhi poshtë akuzat./BIRN