Ish kryeministri Sali Berisha deklaroi se Arben Ahmetaj dhe familja e tij janë kërcënuar me jetë. Ai kërkoi që familja e Ahmetajt të merret në mbrojtje, kurse ish-zëvendëskryeministri të pranohet si bashkëpunëtor i drejtësisë.

“Ju informoj se prej tre javësh, breshëri kërcënimesh me jetën e tij, të prindërve dhe familjarëve të tjerë, fëmijëve, vërshojnë nga të katrat anët drejt Arben Ahmetajt. Këto kërcënime kriminale dëshmojnë tmerrin dhe datën që Arben Ahmetaj u ka kallur Edi Ramës dhe Erjon Velisë si bosët më kryesorë të vjedhjes së shekullit,“ deklaroi Berisha

Sipas kreut të demokratëve me këto kërcënime ndaj Arben Ahmetajt, Edi Rama dhe Erjon Veliaj kërkojnë me çdo kusht t‘i mbyllin gojën atij që të mos guxojë të bëjë publike të gjitha të fshehtat, inskenimet, ndërhyrjet dhe presionet e Edi Ramës dhe Erjon Velisë si kupolë kryesore e vjedhjes së shekullit në këtë process.

“Kërcënimet me jetën e tij, të fëmijëve dhe familjarëve të Arben Ahmetaj që vërshojnë nga qelitë e burgjeve të Shqipërisë dhe nga zyrat e krimit të institucioneve shtetërore dëshmojnë qartë se Edi Rama, Ëngjëll Agaçi dhe Erjon Veliaj janë de fakto dhe de juro ligjërisht dhe penalisht, truri dhe ekzekutorët kryesorë të vjedhjes së shekullit,“ tha Berisha.

Për shkak të kësaj situate, ish kryeministri i ka bërë thirrje të gjithë atyre hetuesve, prokurorëve, policëve, punonjësve të organeve të zbatimit të ligjit, që janë të interesuar në zbardhjen e të vëretetës rreth vjedhjes së shekullit të marrin të gjitha masat për të mbrojtur familjarët, fëmijët, por dhe vetë Arben Ahmetajn.

“Të dërgojnë atje ku ndodhet ky i fundit, grup hetuesit të çështjes duke e pranuar atë si bashkëpuntorë të drejtësisë. Shqiptarët mbi të gjitha duan të zbardhin të vërtetën dhe duan të marrin mbrapsh paratë, qindra milionë që ky grup I plaçkiti ata në këtë aferë,“ përfundoi Berisha.