Presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviç, bëri një parashikim të frikshëm mbi mënyrën se si ai mendon se do të përfundojë iniciativa e Ballkanit të Hapur, të cilën kryeministri malazez Dritan Abazoviç e ka përkrahur.

Sipas Gjukanoviç, qëllimi i autorëve të idesë së “Ballkanit të Hapur” (që janë Edi Rama, Vuçiç dhe Zaev) është zhdukja e Bosnjë-Hercegovinës, Malit të Zi, Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut dhe shtoi se sigurisht që do të përfundonte me “luftë dhe një gjenocid tjetër”.

Gjukanoviç tha se kryeministri Dritan Abazoviç “do të gjykohet nga votuesit, gjykatat dhe historia” nëse ai ndjek një politikë që është kundër interesave të Malit të Zi.

Gjukanoviç ka thënë për portalin “Vojvodina Autonomija” se Malit të Zi i është dhënë mundësia për të përparuar në procesin e negociatave me Bashkimin Evropian dhe ka shtuar se ky shans është edhe një rrugë drejt anëtarësimit në BE, shkruan KosovaPress.

Gjukanoviç e cilësoi projektin e “Ballkanit të Hapur” si “shumë kontrovers”, sepse tha se është skenar alternativ për të ardhmen e Ballkanit Perëndimor jashtë Bashkimit Evropian.

“Ne nuk kemi nevojë për këtë, ne kemi nevojë për anëtarësim në BE. Ata që nuk e shohin rajonin tonë në Evropë, nuk shohin as demokraci multietnike në Ballkan. Atyre u pëlqen ideja e ndryshimeve të kufijve, homogjenizimi etnik dhe fetar brenda shteteve të zgjeruara.

Si zakonisht, çdo gjë nis tradicionalisht nga pala serbe, kësaj radhe ‘bota serbe’. Dhe kjo vazhdon automatikisht me të njëjtët zullumqarë të shtetit të madh”, tha Gjukanoviç.