Bordi i Transparencës ka ndryshuar katër herë çmimin e naftës gjatë kësaj jave.

Sipas vendimit më të fundit, të sapopublikuar, çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit gazoil i standardit SSH EN 590 të  jetë jo më shumë se 240 lekë/litri, duke e rritur me pesë lekë për litër nga vendimi i ndjeshëm, ku çmimi ishte ulur në 235 lekë për litër.

Në datën 6 korrik, nafta tregtohej me 243 lekë për litër. Ndërsa të hënën, Bordi e rriti çmimin me 9 lekë për litër, duke e çuar në 252 lekë/litër.

Sipas vendimit të fundit:

✅Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit gazoil i standardit SSH EN 590 të  jetë jo më shumë se 240 lekë/litri, ndërsa i shitjes me shumicë jo më shumë se 228 lekë/litër.

✅Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit benzinë e standardit SSH EN  të  jetë jo më shumë se 233 lekë/litri,ndërsa i shitjes me shumicë jo më shumë se 221 lekë/litër.

✅Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit gaz, të jetë 81  lekë/litër edhe i shitjes me shumicë 69 lekë /litër.

 

Ndryshimet e shpeshta nuk mundësojnë operatorët të optimizojnë çmimet dhe kostot

Që prej fillimit të muajit mars, kur nafta filloi të rritej me shpejtësi në tregun e brendshëm, për shkak të sulmit të Rusisë ndaj Ukrainës, qeveria krijoi Bordin e Transparencës, që vendos periodikisht çmimet e shumicës dhe të pakicës të naftës, benzinës dhe gazit, sipas një formule që merr për bazë çmimet e blerjes në bursa, taksat, kostot operative dhe një marzh fitimi.

Shoqata e Shoqërive të Hidrokarbureve ka pohuar më herët për “Monitor” se fiksimi i çmimeve nga Bordi vetëm sa ka qenë në dëm si të kompanive, ashtu dhe të konsumatorëve, teksa u ka dhënë operatorëve më pak mundësi atyre të blejnë me eficiencë, duke bërë që çmimet e fiksuara të jenë realisht më të larta sesa do të ishin nëse tregu do të lihej i lirë. “Për shkak të ndërhyrjeve të Bordit, çmimi i naftës në tregun vendas është të paktën 5% më i shtrenjtë sesa do të ishte nëse do të vendosej vetë nga tregu”, tha Shoqata. Sipas këtyre vlerësimeve, çmimi i naftës sot do të ishte 10-12 lekë më pak për një litër.