Prokuroria e Tiranës ka proceduar për evazion fiskal firmën ‘Buzi Sport’ pasi akuzohet se nuk ka deklaruar 3.7 milionë euro të ardhura.

Ndërkohë është shpallur në kërkim administratori i firmës, Oltion Buzi.

Organi i akuzës, informon se janë ushtruar kontrolle në 8 adresa të lidhura me subjektin ‘Buzi Sport’ dhe shoqërinë e fiskalizimit, ku u sekuestruan provat materiale që përfshijnë njësi kompjuterike, telefona celularë, tableta dhe vlera monetare në valuta të ndryshme që arrijnë në 8.000.000 lekë, të cilat nuk ishin të justifikuara me dokumentacion ligjor.

Nga hetimet ka rezultuar se ‘Buzi Sport’ përdorte një sistem kompjuterik të paautorizuar për monitorimin dhe lëshimin e faturave tatimore.

Ky sistem, që operonte përmes platformës online të palicencuar “store.dyqanimen.com”, mundësonte lëshimin e faturave të falsifikuara, të cilat përmbanin mangësi të elementeve të kërkuara nga legjislacioni tatimor dhe ishin të pa fiskalizuara, raporton Prokuroria e Tiranës.

Organi i akuzës, nga hetimet, ka ngritur dyshimet se në disa raste, ‘Buzi Sport’ lëshonte fatura me vlera më të mëdha, ndërkohë që deklaronte një vlerë shumë më të vogël për qëllime tatimore, duke shmangur kështu pagesën e detyrimeve tatimore.

Njoftimi i Prokurorisë:

Nuk deklaroi të ardhurat në vlerë 3.7 milionë euro, Prokuroria Tiranë godet evazionin fiskal të subjektit ‘Buzi Sport’, shpallet në kërkim administratori

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë bazuar në referimin e Drejtorisë së Hetimit Tatimor, goditi një rast evazioni fiskal dhe shpalli në kërkim shtetasin O.B. pasi subjekti që administronte nuk deklaroi 3.7 milionë euro të ardhura.

Në kuadër të hetimit të procedimit penal nr. 8744, të vitit 2024, pas një pune hetimore disa mujore me metoda speciale në bashkëpunim me Drejtorinë e Hetimit Tatimor, u bë i mundur zbulimi dhe ndalimi i këtij evazioni fiskal të shkallës së gjerë nga subjekti tregtar ‘Buzi Sport’ si dhe u ekzekutua vendimi i Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë për kontrollin e vendeve të ushtrimit të aktivitetit nga ky subjekt.

Gjatë hetimit, u ushtruan kontrolle në 8 adresa të lidhura me subjektin ‘Buzi Sport’ dhe shoqërinë e fiskalizimit, ku u sekuestruan provat materiale që përfshijnë njësi kompjuterike, telefona celularë, tableta dhe vlera monetare në valuta të ndryshme që arrijnë në 8,000,000 lekë, të cilat nuk ishin të justifikuara me dokumentacion ligjor.

Hetimet treguan se ‘Buzi Sport’ përdorte një sistem kompjuterik të paautorizuar për monitorimin dhe lëshimin e faturave tatimore.

Ky sistem,  që operonte përmes platformës online të palicencuar “store.dyqanimen.com”, mundësonte lëshimin e faturave të falsifikuara, të cilat përmbanin mangësi të elementeve të kërkuara nga legjislacioni tatimor dhe ishin të pa fiskalizuara.

Në disa raste, subjekti lëshonte fatura me vlera më të mëdha, ndërkohë që deklaronte një vlerë shumë më të vogël për qëllime tatimore, duke shmangur kështu pagesën e detyrimeve tatimore.