Kryekomisioneri Ilirjan Celibashi foli sot për problematikat e zgjedhjeve në Komisionin e Posaçëm të Dezinformimit. Në fjalën e tij, Celibashi u ndal gjatë për të diskutuar lidhur me financimin e paligjshëm të partive politike, duke u shprehur se institucioni që ai drejton, e ka të pamundur që të bëjë një verifikim të thelluar për disa arsye. Për kreun e KQZ, institucioni nuk i ka instrumentet e duhura, duke shtuar se në fakt duhet të jenë organet e drejtësisë që duhen të merren me këtë çështje.
Sipas Celibashit, duhet ndryshim i Kodit Zgjedhor dhe ligjit për partië poltike që t’i jepet mundësia e verifikimit të financimeve të paligjshme në partitët politikë. Për më shumë u ndal tek “palët e treta” që financojnë dhe nuk u dihet burimi. Në këtë diskutim u fut edhe kreu i Komisionit, Erion Braçe duke marrë një shembull konkret, deklaratën e Adriatik Lapajt. Socialisti kërkoi që të kontrolloheshin të ardhurat e “Lëvizja Bashkë”, duke shtuar se ishte vetë Lapaj që deklaroi se merrte 10 mijë euro financime në muaj.
“10 mijë euro në muaj mesatarisht marrim nga mbështetësit, online nga çdo cep i botës, me këto para paguajmë kamerat, naftën, etj.,”-tha Lapaj në një intervistë pak javë më parë.
Por teksa e përmendi si shembull, nuk e dha me emër se kujt rasti po i referohej.
Në fund, propozimi i Braçes ishte ndjekja e modelit amerikan për financimin e partive politike, duke shtuar se vetëm kështu mund të kontrollohet “lumi i parave” që përdoren nëpër fushata elektorale.
DISKUTIMI I PLOTË NË KOMISION:
Celibashi: Në lidhje me financimin e paligjshëm që lidhet kryesisht me financimin nga subjekte apo shtete te huaja, apo nga subjekte që në vetvete ushtrojnë veprimtari të kundërligjshme, është e vështirë për të mos thënë e pamundur për KQZ për të marrë informacion për këtë lloj natyre financimi. Sepse, financimi nëpërmjet këtyre subjekteve apo për qëllime politike të partive dhe subjekteve zgjedhore është veprimtari që sanksionohet nga Kodi Penal. Veprime të tilla kërkojnë angazhimin e institucioneve përkatëse për ndjekjen penale dhe zhvillimin e procesit penal. Do të ishte naive për këdo që nëpërmjet mekanizmave të KQZ të merrte informacion dhe pastaj të vlerësonte apo monitoronte financime të cilat vijnë nga veprimtari të paligjshme, kriminale apo edhe nga shtete te huaja. Deri më sot në KQZ nuk ka asnjë raportim të tillë. Po ashtu, lidhur me këtë aspekt që nuk mund të ndihmojmë më shumë. Por s’kemi asnjë lloj mekanizimi për të verifikuar pohimet publike, nëse është apo jo i vërtetë. Ka përmirësime, por kemi problem me financimin e “palëve të treta”. Duke e patur këtë financim, partitë politike ndjehen jo përgjegjëse. Mund të jenë organizata të shoqërisë civile, sindikata, janë persona juridikë. Marrin financime por nuk kanë detyrim ligjore që të raportojnë nga i marrin këto para. Pra partitë politike qëndrojnë formal në lidhje me financimin e tyre sipas kodit zgjedhor, por nëpërmjet këtyre subjekteve arrijnë të marrin paratë qe duan për qëllimet e tyre politike. Kuvendi i Shqipërisë dhe partitë politike ta adresojnë këtë shqetësim nëpërmjet ndryshimeve përkatëse të kodit zgjedhor. Ka edhe aspekte të tjera që duhet të adresohen. Kodi Zgjedhor dhe ligji për partitë politike kanë parashikuar disa organizma kontrolli, por ne nuk jemi aq eficentë dhe shpesh është formal. E kemi të pamundur që të procesojmë një investigim të thelluar. Kemi bërë disa tentativa duke iu kërkuar informacione institucioneve publike, por jo më shumë se kaq. Këto të dhëna janë shenjë e vullnetit të mirë, më shumë se detyrim ligjor. Ndaj ka goxha vend që të përmirësohet mekanizmi i monitorimit. Në KQZ nuk ka informacion të paraqitur në mënyrë zyrtare lidhur me këto përgjegjësi. Sa i përket lajmeve të rreme, KQZ nuk mundet që të angazhohet më shumë sesa po bëjmë tani.
Braçe: Një parti politike që nuk është paraqitur në zgjedhjet duhet të tregojë burime financiare
Celibashi: Kemi 130 parti, por nuk ekzistojnë shumë prej tyre. Harxhojmë kohë dhe energji për parti që nuk ekzistojnë.
Braçe: Ka edhe subjekte politike, qofshin lëvizje ende pa u regjistruar si parti që deklarojnë miliona lekë duhet të jenë subjekt sepse afërmendsh kur del në televizion dhe thua edhe me mendjelehtësi që unë marr 10 milionë lekë në muaj (të vjetra) donacione…më falni po është fitim. Për një biznes është fitim mujor. Janë shumë para. Kur hyjnë në politikë, kërkojnë pabarazi, qoftë edhe me individët. Krijojnë edhe këtë idenë që politika po komercializohen. Duhet të jenë subjekt deklarimi. Kontrolli që bën KQZ thatë që është formal.
Celibashi: Kur fola për financimin e palëve të treta pikërisht këtu u ndala. Kontroll formal bëjmë. Pak a shumë atë bëjmë se të gjithë në media i deklarojnë mirë edhe pse së fundmi kemi konstatuar problematika. Ndaj edhe kemi sanksionuar së fundmi parti politike dhe kandidatë. Për këtë arsye është bërë një punë më e mirë nga stafi dhe kemi mundësuar evidentimin e një numri të madh. E thashë dhe e pranoj që edhe vetë e kuptojmë që bëjmë pak në lidhje me financimin.
Braçe: Kjo është pak se kaq është korniza e ligjit, apo kaq janë mundësitë?
Celibashi: Duhet të operojmë me kaq mundësi sa kemi.
Braçe: Kur flisni për palë të treta, lobimin por edhe shërbimin që vjen nga lobimi…janë shumë para…këto do të përfshihen? Duhet definicion i ri për Kodin Zgjedhore?
Celibashi: Përkufizimi i tillë që qoftë edhe në mënyrë indirekte vlerësohet se je përfshirë në fushatë, duhet ti deklarosh paratë. Nëse jo, për KQZ nuk ka rëndësi, merret dikush tjetër. Kur ia jep kandidatit e ke detyrimin që ta deklarosh.
Braçe: Vota e emigrantëve, kemi mundësi që të kontrollojmë burimin e financimit?
Celibashi: Sa do kemi mundësi për ta verifikuar nuk kam mundësi që ta them sot, por besoj e vështirë do të jetë.
Braçe: Në fushata elektorale ka lumë parash. Është tek kandidatët dhe partisë. Mos do të duhet që të ndjekim modelin amerikan, miliona euro që hidhen atje, por që i deklarojnë. Lumë është këtu por nuk deklarohen. Nëse është i paligjshëm pastaj… Jemi në një moment që duhet ta zgjidhim dhe ta rregollojmë këtë gjë sepse nuk ka barazi para kandidatëve në zgjedhje.